Plani i rritjes: Qeveria nuk e ka dorëzuar ende listën e projekteve

Përgatiti: Fatlum Jashari

Qeveria ende nuk e ka finalizuar listën e projekteve për të cilat synon të përfitojë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Deri tani, Qeveria ka dorëzuar listën e reformave, përmes realizimit të së cilave mund të përfitojë pjesë nga fondi në vlerë të përgjithshme 6 miliardë euro, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Sa i përket listës së projekteve, ai është aspekt drejt të cilit puna vijon. Momentalisht jemi në fazën e përcaktimit të planit të reformave me Komisionin Evropian, ndërsa faza e përpilimit të listës së projekteve do të vijojë pas dakordimit dhe vlerësimit të reformave në Planin e Rritjes. Kjo për arsye sepse projektet pritet që të ndihmojnë dhe lehtësojnë realizimin e reformave për rritje ekonomike. Kur të vijë momenti, lista e projekteve do të dorëzohet konform reformave e planit të dakorduar, dhe për këtë diskutimet e konsultimet me BE-në po vijojnë”, tha këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu.

Pasi përmendi efektet e masave ndëshkuese të BE-së, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, theksoi se në rastin e Kosovës, krahas reformave, niveli i përfitimit është i lidhur direkt me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Duhet të kuptohet që mekanizmi kyç i absorbimit të mjeteve janë projektet e gatshme dhe ato që kanë arsyeshmëri apo fizibilitet ekonomik dhe këto në Kosovë mungojnë. Në anën tjetër, është utopike të mendohet se ne mund të jemi përfitues të këtyre projekteve pa stabilitet politik”, tha Gërxhaliu.

Përtej kësaj, referuar aspekteve përgatitore dhe diplomacisë ekonomike, ai shtoi se Kosova rrezikon të marrë vetëm një pjesë vogël nga mjetet në dispozicion.

“Duhet të them me keqardhje që shumë vende të rajonit janë të parapërgatitura dhe përgatitura, aplikacionet i kanë ndërtuar shumë më herët, sepse kanë pasur informacione të dorës së parë përmes kanaleve diplomatike se këto mjete do të jenë në qarkullim. Në Kosovë shumë më tepër jemi marrë me agjendë politike sesa ekonomike”, tha Gërxhaliu.

Në prezantimin e planit në Prishtinë, në fund të Tetorit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, tha se përfitimi varet nga reformat e brendshme dhe avancimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në fillim të muajit Shkurt, liderët e shteteve anëtare të BE-së i dhanë mbështetje Planit të Rritjes në Këshillin Evropian, teksa vijojnë diskutimet për marrëveshjen me Parlamentin lidhur me aspektet e financimit.

Plani i Rritjes me qëllim përafrimin ekonomik dhe infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor me BE-në ndahet në mbështetje përmes granteve në vlerë 2 miliardë euro dhe 4 miliardë euro të tjera përmes kredive.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA