Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, pseudonimi i të cilit ishte komandant “Ujku”, është dënuar të martën nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me dënim unik prej 18 vitesh, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Në vendimin për secilën akuzë, Shala u dënua me gjashtë vjet burgim për ndalim arbitrar, 16 për torturë dhe 18 për përfshirje në një vrasje. Dënimi i njësuar ishte 18 vjet burgim.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Ndryshe, Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021.
Shala ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, duke i konsideruar akuzat ndaj tij si “të fabrikuara”.





