Përgatiti: Arton Hamiti
Tenderi 1.2 milionësh për furnizim me këpucë për pjesëtarët e Policisë, i rihapur në korrik të këtij viti, aktualisht është pezulluar. Pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Policia e Kosovës vendosi për pezullim deri një vendim tjetër.
Për t’i furnizuar me këpucë pjesëtarët e saj, Policia kishte hapur tender edhe në nëntor të vitit të kaluar, i cili kishte dështuar. Asnjëra prej gjashtë kompanive të interesuara nuk i kishte plotësuar specifikat e kërkuara.
“Sipas gjetjeve dhe konstatimeve të Autoritetit Kontraktues, i cili ka bërë analizimin e mostrave në procedurën e vlerësimit, rezulton se mostrat e ofruara nuk i përmbushin disa kritere të specifikimeve teknike. Në bazë të mostrave të prezantuara nga ana e OE ankues, shihet se këpucët nuk i plotësojnë disa nga kërkesat e specifikimit teknik, këpucët e ofruara nga ana e OE ankues nuk e kanë të integruar shtresën ortopedike, ashtu siç kërkohet, po ashtu nuk e kanë të shënuar numrin në këpucë”, thuhet në reagimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Andaj, Paneli Shqyrtues kishte kërkuar që në rast të ritenderimit, të kihet kujdes me vendosjen e specifikave teknike për këpucët e policëve.
“Numrat duhet të jenë të shënuar në këpucë, andaj Paneli Shqyrtues obligon Autoritetin Kontraktues, që në rast të ritenderimit të specifikojë kërkesat e paraqitura në Dosjen e Tenderit, në mënyrë të qartë që gjatë ofertimit Operatori Ekonomik të mos ofertojë me kuptime të dyanshme”, thuhet më tej në reagimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Zvarritja e një tenderi që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës për policët, është për keqardhje, sipas Diana Metushit, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ajo shtoi se në shumicën e rasteve shkaktari për zvarritje të tenderëve është faktori njeri.
Policia është pyetur në lidhje me tenderin në fjalë, por nuk ka kthyer përgjigje. Sidoqoftë, sipas informatave të ATV-së, ky institucion ka vite që nuk i ka furnizuar zyrtarët policorë me këpucë.