Në Rogovë të Hasit sot është përuruar ura e cila lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren. E ndërtimin e kësaj ure e konsideroi lajm të mirë për gjithë hasianët edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kjo urë kaq e vonuar më në fund u realizua, raportin KosovaPress.
Kurti tha se brenda një viti janë kryer të gjitha punët për përurimin e urës sot.
“Në fund të vitit 2023 është nënshkruar dhe në prill 2024 kanë filluar punimet, falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025 po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete. Në një farë mënyre 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. gjatësia e gjithmbarshme është rreth 134 metra dhe besoj që kjo ura kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve dhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, tha ai.
Ministri në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në këtë urë janë kryer punime profesional.
Ai pret që komuna e Gjakovës ta mbaj zotimin e dhënë që rruga të zgjerohet.
“Mbetet që edhe pjesa e rrugës të zgjerohet konform edhe urës që do të jetë me dimensionet e saj dhe që besoj edhe komuna do ta bëjë pjesën e vetë të punës ashtu siç kanë premtuar. Ura i ka pesë fusha nga 25 metra pra 125 metra e ndërtuar me traje dhe kompania ka bërë një punë profesionale dhe kemi qenë në përcjellje të këtyre punime”, tha ai.
Zëvendësministri në detyrë i MPHI-së, Hysen Durmishi tha se tashmë kjo urë e cila ka qenë e ngushtë tani është e ndërtuar sipas kritereve regjionale.
“Kemi pas shqetësime të banorëve për rregullimin e kësaj ure dhe ka qenë disa vite në buxhet dhe komuna nuk ka bërë veprime. Prandaj, ne si ministri jemi detyruar që ta marrin përsipër ndërtimin e kësaj urë vetë. Në fillim ekipet profesionale kemi diskutuar këtu se si ta bëjmë një zgjidhje më të shpejtë pasi kjo ura është e frekuentuar. Kemi menduar në fillim ta bëjmë sanimin e urës me disa shtylla pa e prishur urën dhe në fund konkluzioni ka qenë që duhet të prishet ura pasi që duhet ndërtuar edhe trotuaret. Ju e dini qe ka qenë urë e ngushtë dhe tani i plotëson të gjithë kriteret regjionale edhe pse rruga është lokale”, tha ai.
Rindërtimit të kësaj ure që lidh Rogovën me pjesë tjera të Kosovës i janë gëzuar shumë edhe banorët e kësaj ane.
Gëzim Thaçi tha se kjo urë është dashur të bëhej edhe më herët, por edhe tani që përfundoi do iu shërbej 60 mijë banorëve të kësaj ane.
“Është shumë e rëndësishme se i ka 60 mijë banorë që kalojnë mbi këtë urë. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët u vonua pak, por mirë pasi u krye”, tha ai.
Të rëndësishme urë për gjithë trevën e sheh edhe Baki Gashi i cili ka ardhur nga diaspora.
“E rëndësishme është shumë për neve… për fshatin tonë dhe gjithë trevën është shumë e rëndësishme”, tha ai. /KP