Në Bibliotekën Kombëtare është përuruar libri më i ri i Bardhyl Mahmutit – “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”, i cili trajton fushatat e vazhdueshme të dezinformimit dhe përpjekjet për njollosjen e luftës së lavdishme të UÇK-së, duke u mbështetur në dokumente dhe analiza të thelluara.
Ky libër u cilësua me rëndësi të madhe pasi që ai një trajton një dimension më pak të prekur luftën e UÇK-së e që është diplomacia e saj.
Ramë Buja, njëri prej protagonistëve të ngjarjeve të lavdishme kohore, tha se libri i Bardhyl Mahmutit është një dëshmi e rrallë për të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe kushdo që dëshiron ta njohë atë pa shtrembërime, duhet ta lexojë këtë libër.
“Kush dëshiron ta mësojë të vërtetën për luftën e UÇK-së, duhet ta lexojë këtë libër, nëse dëshiron ta mësojë të vërtetën. Ky libër i strukturuar në formë bashkëbisedimi në mes të Bardhyl Mahmutit përfaqësues politik dhe diplomatik i UÇK-së, dhe Muhamet Mavraj, kryeredaktor i gazetës Epoka e Re, është një mrekulli vërtetësie për kohën kur u zhvilluan këto ngjarje gjurmëlënëse të një epoke që tundi qarqet më të mëdha politike diplomatike dhe ushtarake të globit”, tha Buja.
Autori i librit Bardhyl Mahmuti tha se ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarjet e trajtuara në libër, por për çerek shekulli kishte zgjedhur të mos fliste.
Ai theksoi se ka vendosur të publikojë këto përvoja për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i kundërshtuar keqinterpretimet e bëra ndër vite, veçanërisht për takimet e rëndësishme diplomatike të UÇK-së me faktorët ndërkombëtarë.
“Kam qenë dëshmitar dhe aktor i drejtpërdrejtë i atyre ngjarjeve, sepse e kam parë të domosdoshme të nxjerrë në opinion diçka që kam dashur ta mbajë në vete edhe në botën tjetër. Pse kam dashur të mos flas dhe nuk kam folur një çerek shekulli? Në takimet e para me amerikanët, na thanë, shqiptarët janë bërë në përgjithësi si një shtëpi pa dyer e pa dritare, çdo gjë që thuhet brenda del për jashtë, nuk janë njerëz që mbajnë fjalën. Dikur, shqiptarët kanë qenë njerëz besnikë, ishte përmbysur shumë shpejt ai konceptimi shqiptar si njeri i fjalës, por kishte zënë vend çështja e asaj se shqiptarët janë njerëz që nuk mbajnë fjalën, nxjerrin çdo gjë që kanë. Duke parë interpretime të ndryshme rreth asaj periudhe mbas një çerek shekulli, kam nxjerr një pjesë të atyre takimeve më të rëndësishme që kemi zhvilluar me grupin diplomatik… Diplomacia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë një vepër ku do të përfshihen të gjitha takimet diplomatike qoftë në perëndim, qoftë brenda në Kosovë”, potencoi Mahmuti.
Ndërsa profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, për KosovaPress, tha se ky libri i Bardhyl Mahmutit ka vlerë të jashtëzakonshme për aspektin diplomatik të UÇK-së, duke ofruar fakte që i shërbejnë së vërtetës historike.
“Ky është libri i parë autentik nga Bardhyl Mahmuti, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme sa i përket aspektit diplomatik të UÇK-së, për çka tash lexuesi e ka një rrëfim, një bisedë, një sërë intervistash dhe faktografi që i shërbejnë së vërtetës historike. Natyrisht, që janë botuar artikuj dhe vepra tjera, por kjo është një vepër krejt unike, për çka lexuesi e ka një adresë të veçantë”, tha ai.
Libri i Bardhyl Mahmutit “UÇK– Në shënjestër të vazhdueshme” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e rolit diplomatik të UÇK-së dhe në ndriçimin e së vërtetës historike. Me rrëfime autentike, intervista dhe dokumente, ai sfidon perceptimet e deformuara për luftën çlirimtare të Kosovës. /KP