PËRGATITI: BENITA ZENELI
Rreth 2 mijë nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ambientin ku kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës, këtë vit e kanë me kushte më të mira se që i kishte më parë kjo shkollë.
Kjo u bë falë një renovimi të mundësuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, donacion ky në vlerë prej 600 mijë dollarëve.
“Shkolla ‘Ahmet Gashi’ ka pasur nevojë për ndryshime dhe përmirësime rrënjësore për të siguruar që do t’u ofrojë nxënësve mjedisin më të mirë të mundshëm për mësim nxënie për nxënësit. Tani që këto renovime kanë përfunduar, shkolla do t’iu ofrojë nxënësve hapësirë shumë më të sigurt, më të pastër që ata të rriten e piqen dhe t’i ndjekin synimet akademike”, deklaroi ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Falënderues për ndihmën ishin nxënësit e shkollës e drejtori Haxhi Meta.
“ShBA-ja jo vetëm në këtë rast, por edhe në luftën e fundit në Kosovë na kanë dalë në ndihmë popullit tonë, prandaj jemi mirënjohës gjithë jetën për ndihmën e vazhdueshme që po marrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, tha drejtori Meta.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Është dëshmi e fuqisë së partneritetit dhe të besimit të përbashkët në rolin transformues të arsimit, i cili është themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen jo vetëm të qytetit tonë, por edhe të vendit tonë…”, deklaroi kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
“Ky gjimnaz i cili me dekada përgatit të rinjtë dhe të rejat në drejtimet shoqërore, duke u dhënë një bazë të fortë me të cilën formohen, për t’u bërë individ të shëndoshë që i duhen shoqërisë tonë. Përmirësimi i arsimit në të gjitha nivelet është objektivi parësor në strategjinë tonë të arsimit…”, u shpreh ministrja Nagavci.
Në Gjimnazin ”Ahmet Gashi” veç rreth 1300 nxënësve të kësaj shkolle, nga ky vit shkollor mësimin e zhvillojnë edhe rreth 700 nxënës të Gjimnazit “Eqrem Qabej”./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: