Përgatiti: Fatlum Jashari
Moszbatimi i marrëveshjeve, krizat e shpeshta në terren dhe ulja e nivelit të përfaqësimit kanë bërë që Bashkimi Evropian të mendojë për një rol shtesë në dialogun Kosovë-Serbi, përtej lehtësimit të procesit.
Burimet i konfirmuan ATV-së se BE-ja po e konsideron të kalojë në një rol detyrues, referuar ndërlidhjes së zbatimit me përparimin në procesin e integrimit evropian.
Pasi konstatoi se dialogu ka degraduar, ish-ambasadori në Bruksel, Bernard Nikaj, tha se BE-ja e ka tejkaluar rolin e lehtësuesit me propozimin, në formën “merre ose lëre”, të marrëveshjes bazë, si dhe hartimin e draft-statutit të asociacionit.
“Këto veprime tregojnë që BE-ja e ka marrë një hap para, prej rolit tradicional të facilitatorit, të cilin e ka mbajtur në vitet e hershme të dialogut. Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe degradimi i raporteve mes palëve edhe në terren, por edhe situata në terren në Kosovë dhe çështjet që ngrihen gjithë kohën, me doemos e shtyjnë BE-në që ta rimendojë strategjinë e udhëheqjes së dialogut”, tha Nikaj.
Krahas konstatimit se ka kohë që BE-së i është sosur durimi nga temat që prodhuan kriza, Fitim Mulolli nga Polcon, në kontekst të rolit shtesë përmendi kushtëzimet dhe ashpërsimin e ndëshkimeve.
“Ka nis një iniciativë të futet në kapitullin 35, që do të bëhet obliguese për zbatim si pjesë e procesit të anëtarësimit. pra, nëse kjo nuk zbatohet, ngec edhe procesi i anëtarësimit në BE. Çka do të thotë kjo? Politikisht do të thotë nuk ka progres, ekonomikisht nuk japin fonde, nuk ka mbështetje e kështu me radhë. Çka mund të bëjë BE-ja tjetër, janë masat më ekstreme, mos me marrë më masa por me vendosë sanksione”, tha Mulolli.
Teksa tha se BE-ja, me ndihmën e SHBA-së, ka mundësinë e fundit që para zgjedhjeve të adoptojë një strategji të re, Nikaj përmendi mungesën e konsensusit në union.
“Sepse ka shtete në kuadër të BE-së të cilët janë duke e penguar edhe përfshirjen e obligimeve të dialogun në kapitullin 35, posaçërisht për Serbinë. Prandaj, pyetja a duhet të rimendohet dialogu e ka një përgjigje të thjeshtë: po. Sepse, ky dialog kështu është klinikisht i vdekur, dhe nëse nuk rimendohet rrezikon të acarojë situatën mes Kosovës dhe Serbisë, dhe potencialisht të çojë edhe deri në një konflikt”, tha Nikaj.
Përkundër ftesës në adresë dhe nivel politik në takimin e fundit në Bruksel, Kosova u përfaqësua në nivel krejt teknik, me guvernatorin e BQK-së.
Krahas ritheksimit së shqetësimeve lidhur me situatën me dinarin, SHBA-ja përsëriti thirrjen për zgjidhje përmes dialogut.