Në Palestrën e Sporteve “Karagaç” në Pejë po zhvillohet Kampionati Ballkanik i Xhudos për Seniorë dhe U23, si dhe gara ekipore të përziera.
Në këtë ngjarje sportive po marrin pjesë xhudistë nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Moldavia, Turqia dhe Bullgaria.
Luftat preliminare tashmë kanë nisur, ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet në orën 15:30. Menjëherë pas ceremonisë, në orën 16:00, do të nisë edhe blloku final i garave.
Palestra “Karagaç” është kthyer kështu në qendër të xhudos ballkanike, me garuesit që po synojnë medaljet dhe titujt e kampionatit.
Kampionati pritet të sjellë përballje interesante mes disa prej xhudistëve më të mirë të rajonit, ndërsa publiku pejan do të ketë mundësinë t’i ndjekë nga afër garat dhe luftërat për medalje.





