​PDK: Qeveria Kurti është rreziku kryesor për rendin demokratik në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për rrezikim të rendit demokratik në vend. Sipas partisë më të madhe opozitare në Kuvend, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për zyrtarët publikë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kryeministrit Albin Kurti.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj, në një konferencë për medie të premten tha se Qeveria Kurti, në 900 ditë të qeverisjes së tyre është karakterizuar vetëm me skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve, dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme.

“Gjatë këtyre 900 ditëve, fatkeqësisht, Qeveria është marrë shumë pak me qeverisje dhe është marrë tejet shumë me sulme kundër rendit kushtetues të vendit tonë… Ndonëse shkeljet e pushtetarëve tashmë janë me qindra e po shtohen për çdo ditë, për të shtatën herë më radhë, vendim (Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për zyrtarët publik) konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të Qeverisë së Albin Kurtit, e karakterizuar për skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve, dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme…Në vend që qeveria t’i kontribuoj zhvillimit të demokracisë ajo po shfaqet si rreziku kryesor për rendin demokratik për vendin tonë. Është koha e fundit që kjo qeveri të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit”, tha ai.

Kritik ndaj ekzekutivit u shfaq edhe avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu, i cili tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar nenet kyçe të Ligjit për zyrtarët publik është historik.

Sipas tij, Kushtetuesja rrëzoi përpjekjet e qeverisë për të vënë kontroll të plotë mbi Administratën e Shtetit.

“U rrënuan përpjekjet e kësaj qeverie për të vënë kontroll të plotë dhe centralizuar mbi administratën e shtetit. Mund të quajmë se ky vendim është historik i Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk u përligj standardi i vënë në këtë projektligj, që për kalim në shërbimin civil kandidatët duhet të kenë kriterin e përshtatshmërisë. Gjykata Kushtetuese i tha jo këtij kriteri për të punuar në administratë. Po ashtu, kushtetuesja rrënoi përpjekjet e qeverisë për t’i privuar zyrtarët publik nga e drejta për ankesa dhe i tha jo përpjekjeve për të larguar masivisht zyrtarët civil që zgjidhen në pozita të ulëta dhe të mesme drejtuese”, theksoi Fetahu.

I pyetur nga gazetarët, Nikaj i PDK-së, foli edhe për vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për zvogëlim edhe të 25 për qind të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në veri.

Ai kritikoi Kurtin për qasjen e tij në raport me situatën në veri, pasi siç tha Kosova vazhdon të jetë nën sanksione.

“PDK-ja ka qenë në vazhdimësi e mendimit se kryeministri duhet të marrë veprime të shpejta dhe guximshme për të adresuar në detaje dhe koordinim me miqtë tanë ndërkombëtar situatën në veri. Por kryeministri ka vendosur të bëjë të kundërtën, të bëjë të njëjtën gjë, por me hapa të ngadalshëm që vetëm kanë humbur kohë, rritë tensionin dhe fut vendin nën sanksione. Ashtu siç e keni parë kemi një dy kuptim të asaj çka po ndodh. Derisa kryeministri mendon se këto masa janë të mjaftueshme për të hequr sanksionet e vendosura nga BE-ja, ata vazhdojnë t’ia ri-përsërisin kërkesat që i kanë bërë në fillim që Kosova t’i përmbushë tri pikat për të cilat është dakorduar Këshilli i BE-së, që përfshinë tërheqjen e të gjitha forcave dhe shpalljen e zgjedhjeve. Prandaj Kurti edhe në këtë fushë po humb kohë, ku qytetarët vazhdojnë të jenë nën sanksione”, përfundoi ai./KP/

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA