​PDK kërkon debat parlamentar për raportin e DASh-it, nuk përkrahet nga LVV

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar debat parlamentar lidhur me të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri tha se të gjeturat janë shqetësuese për Qeverinë e Kosovës. Ai kërkoi që rendi i ditës të plotësohet me mocion për debat parlamentar, teksa ftoi deputetët që ta përkrahin një gjë të tillë. Me këtë janë pajtuar edhe partitë tjera opozitare, por jo edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Për këtë mocion kanë votuar 26 deputetë për, 40 kundër dhe një ka abstenuar.

Tahiri kërkoi që ky debat parlamentar të fillojë pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës.

Tahiri ka kërkuar që të plotësohet rendi i ditës me mocion për debat parlamentar

“Kërkojmë që të plotësohet ky rend i ditës me një debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it. Ashtu siç e keni parë, siç jeni njoftuar para tri ditëve, Departamenti Amerikan i Shtetit ka prezantuar një raport i cili ka të gjetura mjaft shqetësuese për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, një përshkrim ku tashmë kemi një korrupsion serioz në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ku përshkruhet numri i saktë i ministrave të cilët janë të përfshirë në afera korruptive. Pra, tashmë duke ju referuar atij raporti nga 15 ministra, pesë prej tyre janë nën hetime dhe dy zëvendësministra. 1/3 e kësaj qeverie është nën hetime nga Prokuroria e Shtetit. Nuk po e themi ne, por po e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit”, u shpreh ai.

Më tej, Tahiri tha se ky raport i publikuar më parë flet edhe për dhunën ndaj gazetarëve dhe ndaj grave.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila theksoi se ky raport ka disa lëshime të vogla. Ajo propozoi që të caktohet një seancë e veçantë për ta diskutuar këtë raport.

“Ka disa lëshime të vogla në raporte statistikore, në veçanti me prezencën e numrit të grave në qeveri. Përmend që Qeveria e Kosovës ka vetëm një zëvendëskryeministre, Qeveria e Kosovës ka dy zëvendëskryeministre dhe gjashtë ministre e jo pesë. Gjithashtu ky Kuvend dhe mazhoranca e këtij Kuvendi ka grupin më të madh të grave ndonjëherë përfshirë këtu të gjitha të zgjedhura pa kuotë. Do të thotë raporti ka gjetje shumë interesante, që ja vlen të bëhen edhe krahasime me ato raporte që janë publikuar më herët dhe aty mund të vërehet progresi ose dështimi. Jo mbi vënien e fokusit të një paragrafi, deklaratë ose një emër që mendohet. Prandaj, duke e ditur kompleksitetin, rëndësinë dhe peshën e këtij raporti ne si grup parlamentar propozojmë që të caktohet një seancë të veçantë ku të gjithë do të jemi të përgatitur që të diskutojmë”, shtoi ajo.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se sot Kuvendi duhet të diskutojë për të gjeturat në raportin e DASh-it.

“Ne duhet të flasim sot për censurën dhe kufizimet e mediave, raporti thotë ‘Autoritetet kufizuan lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacionin në mënyrë të drejtë, duke censuruar mediat, duke bllokuar faqet e internetit, duke kufizuar qasjen në informacion’. Presioni dhe ndërhyrjet politike, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe në veprimtarinë e gjyqësorit kanë rritur frikën dhe ndikimin mbi gjykatësit dhe prokurorët. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në procese gjyqësore dhe në procese qeverisëse ka degraduar kualitetin qeverisës dhe përfaqësimin”, u shpreh ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, është pajtuar që të mbahet debat parlamentar.

“Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për të kuptuar se sa keq është dhe sa e rëndësishme është që ky parlament të diskutojë këtë raport, ju lutem hapeni vetëm faqen e parë. Në faqe të parë ky raport flet në radhë të parë për një korrupsion serioz në qeveri, as nuk thotë në qeverisje, as më gjerë, thotë ‘korrupsion serioz në qeveri’. Thotë kështu ‘Kosova ka probleme serioze me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë’”, përfundoi Tahiri.

Sipas tij, ky raport është letërnjoftim i Qeverisë Kurti dhe se kjo çështje është e rëndësishme që të diskutohet në Kuvend.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA