Paul Pogba dhe Monaco kanë ndarë rrugët, pasi të dyja palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të përbashkët.
Mesfushori francez kishte kontratë me klubin nga Principata deri në qershor të vitit 2027, por aventura e tij përfundoi para kohe, vetëm pak kohë para startit të sezonit të ri.
Monaco ka bërë të ditur se vendimi erdhi pasi objektivat e vendosura në fillim të bashkëpunimit u realizuan vetëm pjesërisht.
“Pas një vlerësimi të përbashkët se objektivat e përcaktuara fillimisht ishin realizuar vetëm pjesërisht, Monaco dhe Paul Pogba kanë vendosur të ndërpresin kontratën e tyre”, thuhet në njoftimin e klubit.
Monaco gjithashtu i ka shprehur mirënjohjen e tij Pogbas, duke vlerësuar profesionalizmin dhe besimin që ai tregoi gjatë periudhës së kaluar në klub.
Edhe vetë fituesi i Kupës së Botës 2018 ka reaguar pas ndarjes, duke falënderuar drejtuesit, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët e Monacos.
“Përfaqësimi i këtij klubi dhe i Principatës ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Monaco është një klub fantastik dhe, edhe pse nuk luajta aq shumë ndeshje sa shpresoja, do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që pata t’i vesh ngjyrat e tij. Daghe Munegu!”, ka shkruar Pogba.
Rikthimi i francezit në futboll pas pezullimit për doping nuk shkoi sipas pritshmërive. Problemet e vazhdueshme fizike e penguan Pogban të gjejë ritmin e duhur, ndërsa së fundmi ai pësoi edhe një tjetër dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës gjatë përgatitjeve parasezonale.
Tashmë, Pogba është sërish lojtar i lirë dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vazhdojë karrierën.





