Pas mbajtjes së seancës për caktimin e paraburgimit ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, janë deklaruar edhe avokatët e të dyshuarve, raporton ATV.
Ata kërkuan që rasti të trajtohet me kujdes dhe pa paragjykime publike.
Avokati Musa Kongjeli, i cili mbron të dyshuarin Rilind Murati, deklaroi se klienti i tij mohon përfshirjen në këtë vepër penale, duke treguar ku ka qenë gjatë kohës kur dyshohet se është kryer vepra.
“Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ në bashkëkryerje. Megjithatë, bazuar në provat e deritanishme, ne konsiderojmë se klienti im nuk ka qenë i përfshirë në këtë vepër. Ai deklaron se nga ora 22:00 deri në 03:00 të mëngjesit ka qenë me të fejuarën e tij, me të cilën është në martesë te hoxha”, tha avokati Kongjeli.
Ndërsa avokatja Fehmije Bytyqi, e cila mbron të dyshuarin Diamant Gashi, tha se në dokumentet zyrtare nuk ka asnjë përmendje për ndonjë motiv ideologjik apo fetar që lidhet me këtë rast, duke
apeluar për kujdes në raportimet mediale.
“Unë kërkova që Prokuroria dhe Kryeprokurori i Ferizajt të dalin publikisht dhe të qartësojnë se në kërkesën për paraburgim nuk është përmendur askund ndonjë lidhje ideologjike, fetare apo islamiste. Familjet e të dyshuarve po etiketohet padrejtësisht në publik”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, sipas kërkesës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën e ka siguruar ATV, ndaj të dyshuarve për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, është kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në hetime. /atvlive.tv