Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka paditur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për konkursin për Sekretar të Përgjithshëm. Padia është dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku nga GLPS thonë se kjo ministri ka zhvilluar procedurat e rekrutimit pa respektuar obligimin ligjor që fazat e rekrutimit te monitorohen nga shoqëria civile
Liridon Salihi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike tha se këtë rast paraprakisht kanë e dërguar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
“Qeveria vetëm se ka proceduar me emërimin e personit në këtë pozitë të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe duke i marrë parasysh të gjitha faktet e rastit, qendra me autorizimin e të gjitha organizatave të shoqërisë civile që përbëjnë Iniciativën CorrËatch, sot ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, ku i ka kërkuar kësaj gjykate që të deklarojë të drejtën që i garantohet shoqërisë civile përmes Ligjit për Zyrtarët Publik, me nenin 48, paragrafi 7, e cila dispozitë i jep të drejtë shoqërisë civile që t’i monitorojë të gjitha proceset rekrutuese për pozitat e larta drejtuese”, deklaroi ai.
Në konferencë për media, Salihi tha se kanë kërkuar nga kjo gjykatë që ta obligojë Ministrinë e Financave dhe të gjitha institucionet publike që në rastet kur hapin konkurse të tilla të monitorohen nga shoqëria civile.
“Nga provat qe përmban kjo padi, konstatohet se Ministria e Financave ka zhvilluar fazat e procedurës së rekrutimit për kategorinë e lartë drejtuese “sekretari i përgjithshëm” pa respektuar obligimin ligjor që fazat e rekrutimit te monitorohen nga shoqëria civile. Pra, në vend se Ministria e Financave të ishte shembull që përmes rolit aktiv të saj t’i ftonte organizatat e shoqërisë civile në monitorim të fazave të këtij procesi, me qëllim të rritjes së transparencës dhe respektimit të obligimit ligjor që rrjedh nga Ligji për Zyrtarët Publik, ky institucion zgjodhi heshtjen në tri kërkesat e vazhdueshme nga ana e përfaqësuesve të Iniciativës CorrËatch”, tha ai.
Sipas tij, ky rast tregon se si institucionet e administratës publike në procedurat rekrutuese nuk i zbatojnë në përpikëri rregullat dhe parimet e legjislacionit për shërbimin civil që është i aplikueshëm në Kosovë.
Ndërkaq, Laura Nushi nga Iniciativa CorrWatch tregoi për parregullsitë që e kanë karakterizuar këtë proces rekrutues.
“Ministria e Financave më datë 6 gusht 2024 ka shpallur konkursin për pozitën e lartë drejtuese “sekretar i përgjithshëm”. Sipas shpalljes, konkursi ka qenë i hapur nga data 7 gusht 2024 deri më 5 shtator 2024. Bazuar në dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publik që i japin të drejtë shoqërisë civile që të monitoroj proceset rekrutuese të kësaj natyre, Iniciativa CorrËatch kishte parashtruar kërkesë për monitorim me 13 gusht e 9 shtator 2024. Këto kërkesa ishin injoruar totalisht nga ministria e cila më 11 shtator 2024, kishte publikuar listën e kandidatëve që e kanë kaluar fazën e verifikimit paraprak. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Iniciativës CorrWatch edhe më 13 shtator 2024, kishin dërguar kërkesë për qasje në dosjen e kandidatëve dhe për monitorimin e fazave të tjera, e cila kërkesë po ashtu nuk u mor parasysh asnjëherë”, ka treguar ajo. /kp