Përgatiti: Armand Hoti
Parlamenti Evropian miratoi rezolutën që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Rezoluta kërkon të merren masa ndaj shtetit serb, nëse vërtetohet që shteti kishte gisht në organizimin e sulmit.
“PE-ja i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit që të marrin masa kundër Qeverisë së Serbisë, nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë, ose në sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023, ose nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht”, thuhet në rezolutën e PE-së.
Me këtë rezolutë, Parlamenti Evropian, po ashtu, kërkoi nga Bashkimi Evropian t’i mbështesë hetimet e autoriteteve kosovare lidhur më 24 shtatorin. Përpos që propozohet heqja e masave për Prishtinën, megjithatë kërkohet vazhdimi i dialogut.
Përmbajtja e rezolutës, sipas njohësve të rrethanave, ishte e favorshme për Kosovën.
“Është një thirrje për organet e tjera vendimmarrëse siç është Komisioni dhe Këshilli i Ministrave që të marrin vendime për dënimin e Serbisë për agresionin që ndodhi në veri”, tha politologu Fidan Ukaj.
“Dihet se s’ka shumë ndikim të madh Parlamenti Evropian, por ka ndikim në formimin e opinionit publik dhe kjo është një konfirmim që opinioni publik kërkon që të ketë një reagim nga BE-ja”, tha profesori Seb Bytyqi.
Me këtë rezolutë eurodeputetët, po ashtu, kërkuan që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.