Papa i ri, Leoni XIV zotohet se kisha do t’i ndriçojë “netët e errëta” të botës

Papa Leoni XIV e mbajti meshën e tij të parë të premten në Kapelën Sistine, ku u zgjodh papë një ditë më parë, duke paralajmëruar për rreziqet që sjell mungesa e besimit dhe duke shpresuar se Kisha Katolike do të mund të jetë fener që ndriçon “netët e errëta” të botës.

Leoni, ish-kardinali me emrin Robert Prevost dhe papa i parë amerikan, dukej i qetë derisa drejtonte meshën në kapelën e famshme të zbukuruar me afreske, përkrah të njëjtëve kardinalë që e zgjodhën si papën e 267-të dhe pasardhës të Papa Françeskut.

I veshur me petka relativisht të thjeshta në ngjyrë të bardhë dhe ari, Leoni XIV – i lindur në Çikago – i tha disa fjalë në anglisht para se të vazhdonte predikimin e tij me një italishte të rrjedhshme, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë meshës, Leoni XIV, 69 vjeç, përshkroi vizionin e tij për Kishën që dëshiron ta ndërtojë, duke thënë se synon të shërbejë si “administratori besnik” për të gjithë kishën.

Papa i ri – që udhëheq 1.4 miliard katolikë në mbarë botën – e pranoi se besimi i krishterë ndonjëherë “cilësohet absurd” dhe si diçka që u përket “të dobëtëve dhe të paarsimuarve”.

“Mungesa e besimit shpesh shoqërohet tragjikisht me humbjen e kuptimit të jetës, neglizhencën e mëshirës, shkelje të tmerrshme të dinjitetit njerëzor, krizën e familjes dhe shumë plagë të tjera që e godasin shoqërinë tonë”, tha ai.

Ai u zgjodh papë në votimin e tretë të enjten, në ditën e dytë të konklavës./REL

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA