Përgatiti: Arian Hajdaraj
Incidenti me grushtet që i ranë njëri-tjetrit, gjatë një seance të Kuvendit nuk deshën të zgjidhet me proces gjyqësor. Andaj, deputetët Bekim Haxhiu, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, që ishte viktimë e dhunës, u pajtuan që këtë çështje ta zgjidhin me procedurën e ndërmjetësimit. Mirëpo, takimi i parë mes palëve përfundoi pa rezultat.
“Në seancën e parë nuk është arritur ndërmjetësimi, sepse nuk janë sqaruar disa pika, dhe kanë mbetur të sqarohen disa pika, dhe palët të përafrohen”, tha Besiana Ismaili, avokate e Mërgim Lushtakut.
Për ta arritur ndërmjetësimin, kodi i procedurës penale ua garanton tre muaj kohë.
“Palët kanë 90 ditë kohë për t’u dakorduar, pastaj ndërmjetësuesi e çon rezultatin e takimit tek kryetari i trupit gjykues”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.
E sipas avokates së deputetit Lushtaku, ka optimizëm që ujdia të arrihet.
Palët kanë shprehur gatishmërinë, besoj se në seancën e radhës do të arrihet rezultat…”, tha avokatja Ismaili.
“Nëse nuk arrihet ndërmjetësimi brenda 90 ditëve. Lënda kthehet në gjykim. Megjithatë, ka optimizëm për arritjen e ndërmjetësimit”, tha avokati Smakiqi.
Rrahja mes deputetëve ndodhi më 13 korrik të vitit 2023. Aktakuza ndaj tyre u ngrit në muajin tetor të po atij viti.