Përgatiti: Benita Zeneli
Rezoluta për Policinë e Kosovës e propozuar nga PDK-ja, përmes së cilës kërkohet pagesa e shtesave të rrezikshmërisë, pagesa e sigurimit shëndetësor, si dhe pensionimi i parakohshëm për policët, sërish nuk u hodh në votim në Kuvendin e Kosovës.
Për të dytën herë me radhë që kjo pikë ishte në rend dite, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar nuk ishin fare prezent në sallë, duke pamundësuar kuorumin që propozim-rezoluta të votohet.
Pas diskutimit që u bë për këtë rezolutë, në seancën e dytë e cila ishte e rregullt, deputetët e pushtetit erdhën në sallë.
Edhe në këtë seancë u kërkua plotësim-ndryshimi i rendit të ditës, në mënyrë që të mundësohet hedhja në votim e rezolutës.
“Meqë tashmë janë deputetët në sallë, propozoj që të hidhet në votim rezoluta”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
Megjithatë, sërish nuk u arritën votat e mjaftueshme.
32 votuan pro plotësim-ndryshimit të rendit të ditës, përfshirë këtu edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërsa 38 abstenuan.
Debati vazhdoi për çështje tjera, kryesisht për rezolutën e Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, si dhe për vendimin e presidentes Vjosa Osmani për mos dekretim të Blerim Isufajt për kryeprokuror tw shtetit, të cilin opozita e quajti antikushtetues.