Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur në një Forum për çështjet e sigurisë që mbahet çdo vit në Kongresin amerikan në Uashington.
Ajo me këtë rast theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi, për të cilin tha se është në një gjendje të brishtë.
“Tani që presidenti Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, përmes formulës së tij paqe përmes forcës, është e rëndësishme që Amerika të tregojë udhëheqje të vërtetë jo vetëm ndaj miqve të vërtetë por edhe atyre që po sjellin pranë rajonit tonë Rusinë, Kinën dhe Iranin”, tha Osmani duke iu referuar Serbisë.
Në forum morën pjesë anëtarë të Kongresit amerikan, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor. Aty u shpreh nevoja për solidaritetin e demokracive përballë regjimeve që minojnë rendin global si Rusia, Kina dhe Irani, si dhe shprehën nevojën e bashkëpunimit me administratën e re të presidentit Donald Trump mes sfidave madhore globale.
Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions, një nga organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se është në interesin e Shteteve të Bashkuara që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të suksesshme dhe të pavarura, sidomos nga ndikimi i Rusisë.
“Mendojmë se është e rëndësishme që miqtë tanë, miqtë e Amerikës të jenë së bashku. Anëtarët e Kongresit janë një pjesë e rëndësishme për të dërguar sinjalin e rëndësisë që ka rajoni për stabilitetin e kontinentit të Evropës, por edhe për interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha Sessions.
Sessions tha se ligjvënësit si ai vetë, do t’ia përcjellin këtë mesazh administratës së re dhe Sekretarit të ri të Shtetit, Marco Rubio, ashtu si edhe atë të rrezikut të dezinformimit nga Moska dhe Pekini.
“Sekretari duhet të sigurohet që kjo të jetë një përparësi e administratën së re. Synimi i Donald Trumpit është që të gjithë të kenë një të ardhme më të mirë jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por ta shohin Amerikën si mikun e tyre”, tha ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarin e Kongresit Sessions dhe kolegun e tij republikan Robert B. Aderholt, tha për Zërin e Amerikës se dezinformimi është vetëm një elementi rrezikut.
“Kemi një grup aktorësh që duan të bëjnë një zhvendosje të gjeopolitikës, në mënyrë të veçantë Kina, Rusia dhe Irani, por edhe vende të tjera dhe përballë kësaj unë mendoj se duhen ndërtuar rrugë komunikimi ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.
Deputeti i shumicës së Parlamentit të Shqipërisë Damian Gjiknuri shprehu gadishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim me administratën e re amerikane dhe nevojën e forcimit të demokracisë.
“Theksuam që një Amerikë e fortë, siç ka thënë presidenti Trump ‘Amerika e Para’, mendoj që do të jetë edhe një aleancë e fortë, sepse ne ngjarjet nuk mund t’i kontrollojmë, por reagimin mbi ngjarjet aleanca do të mund ta bëjë shumë më mirë. Patjetër që Shqipëria është një anëtare i denjë aktive e NATO-s, do të bëjë pjesën e saj për paqen dhe sigurinë. Por dhe mesazhi që dhashë dhe që doli qartë nga kjo tryezë është dhe forcimi i demokracive. Nëse do të kemi demokraci dhe institucione të forta, do të kemi edhe një familje më të shëndoshë demokratike”, tha Gjiknuri për Zërin e Amerikës.
Përfaqësuesi i Serbisë, Vladimir Marinkoviq, ish-kryeparlamentar i vendit, hodhi poshtë akuzat ndaj vendit të tij dhe tha se Beogradi është i gatshëm për bashkëpunim me administratën Trump.
Në kushtet e sfidave madhore globale në botë, pjesëmarrësit në Forum e vunë theksin te nevoja e koordinimit në të gjitha nivelet mes vendeve të tyres, si edhe forcimit të aleancave madhore perëndimore.