Nga Arben Çejku
Përfundova së lexuari librin “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi“, të ish-Presidentit të Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, botuar nga Kolegji AAB, në Prishtinë. Që në fillim dua të sjell në vemendje dhe të shpjegoj kuptimin e fjalës “Ora”, që autori, jo pa qëllim, e ka përdorur në këtë vepër. Në një promovim në Tiranë, “Ora” u interpretua në kuptimin material të kohëmatësit që mbahet në dorë apo kudo tjetër –pra, njësi kohëmatëse.
Jam i sigurtë, që shumica e interpretojnë këtë emërtim në kuptimin parësor të fjalëpërdorimit, që lidhet me një paisje që mat kohën. Në shumë raste të tjera, lexuesit e këtij libri mund ta kuptojnë atë edhe si “Koha e Kosovës”, “Momenti i Kosovës”, meqë lidhet në vijueshmëri me përcaktimin e një akti historik, siç është “pavarësia” dhe një sfide institucionale, siç është “shtetndërtimi”.
Pra, deri më tani, në pamje të parë, me zgjuarsinë e tij karakteristike, autori me një fjalë na ka sjellë dy kuptime, duke na ftuar të hapim sytë dhe të thellohemi në atë që përbën, në fakt, dramën e madhe të një Kosove të vogël. Por, jo. Prof. Sejdiu, një njohës i shkëlqyer i gjuhës, kulturës, historisë, etimologjisë dhe mitologjisë shqiptare, me shumë elegancë, në titullin e librit të tij, bashkë me ftesën që të ndjekim kronometrin e zhvillimeve të Kosovës së re, që rrugëton drejt pavarësisë, indirekt na fton të kuptojmë atë që lidhet edhe me Engjëllin e saj mbrojtës – me fatin e saj, me Orën mitologjike të Kosovës, e cila dikur mbronte Mujin e Halilin, mbronte figurat legjendare shqiptare dhe tani, është aty pranë sfidave të Kosovës për ta ndihmuar atë dhe popullin e saj! Orët dhe Zanat, në mitologjinë shqiptare janë të njohura për rolin e tyre në prapaskenën e jetës së përditshme, duke luajtur një rol determinues në përcaktimin e humbjeve dhe fitoreve, në përcaktimin e të mirës e të keqes.
Dikur, mallkimi më i madh shqip ka qenë: “Të vdektë Ora!” ose “Të vraftë Zana”. Zanat (Shtojzovallet) dhe Orët, ishin emërtime të ndryshme për të njëjtat entitete hyjnore, që ndërthyrnin prezencën e tyre me jetën e njerëzve të zakonshëm. Ora, në mitologjinë shqiptare mund të konsiderohet edhe si Fati për një person, por edhe për një popull. Edhe emri i autorit, Fatmir, që shqip do të thotë “Fat i mirë”, rrënjën etimologjike e ka në mitologjinë e përcaktimit hyjnor, që vjen padukshëm në skenën e jetës së gjithësecilit.
Për të kuptuar më mirë këtë parashtresë që bëra këtu lidhur me këndvështrimin polisemantik (të shumëkuptueshmërisë) së fjalës “Ora” në titullin e librit të Prof. Sejdiut, e ftoj gjithësecilin që përfundon së lexuari këtë libër, të lexojë vëllimin “Mrrizi i Zanave” të poetit të madh kombëtar, At Gjergj Fishta. Vetëm një poet si Fishta, ka mundur ta përcjellë në një art gjuhe e stili atë dramë të madhe të kombit shqiptar (vitet 1910 e tutje), të cilin fuqitë e mëdha e ndanë në disa pjesë dhe nën dhunën e luftrave ballkanike, vuajti mbijetesën e vet në kërkim të lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit. E pra, vetëm një intelektual dhe burrshtetas si Fatmir Sejdiu, i ballafaquar me sfidat e Kosovës së pas luftës, aktor i shumë proceseve delikate, nëpër të cilat ka kaluar Kosova nga viti 2005 – 2010, mund të konceptonte dhe shkruante një libër kaq me vlera, si “Ora e Kosovës”.
Në këtë shënim modest, gjithësesi, po ndalem në kuptimin e përgjithshëm të titullit, duke e konceptuar atë si një kornizë kohore, brenda së cilës ndodhin ngjarje përcaktuese për të ardhmen e një populli dhe të një shteti, siç është Kosova. Dhe në fakt, kjo kornizë nis me 28 shtatorin e vitit 2005, kur me propozim të Presidentit të ndjerë Rugova, Kuvendi miratoi Ekipin e Unitetit (për bisedimet mbi statusin e Kosovës dhe, për ironi, mbyllet me 27 shtator 2010, kur Sejdiu dha dorëheqje si President. Kjo është koha në të cilën vepron aktivisht Fatmir Sejdiu si anëtar i Ekpit dhe më pas udhëheqës i tij, si anëtar i LDK-së dhe udhëheqës i saj, si këshilltar e mik i Rugovës dhe më pas zëvendësuesi i parë i tij në pozitën e Presidentit, si dëgjues i këshillave ndërkombëtare dhe më pas kryediplomat i Kosovës në çdo hap që ajo bëri në bisedime me Serbinë deri në shpalljen e pavarësisë, profesor në jurisprudencë dhe më pas pjesë aktive e hartimit të Kushtetutës së re të vendit, fëmijë i një mësuesi të burgosur nga Jugosllavia titiste dhe më pas President që brengoset për të pagjeturit dhe viktimat e luftës në Kosovë, një adhurues i kulturës dhe historisë së Shqipërisë dhe më pas i nderuar nga shteti shqiptar dhe institucionet e saj akademike, një luftëtar i paepur në krye të bejtejës për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës dhe në fund një qytetar i saj i zakonshëm, për shkak se u bindet me urtësi vendimeve të institucioneve kushtetuese për të cilat dha mund e djersë.
Deri në shtator 2010 ai e shihte shtetin e Kosovës nga brenda – jashtë, duke u kujdesur që kufijtë e ligjshmërisë, sovranitetit, prosperitetit, miqësisë dhe perspektivës euro-atlantike, të shtriheshin sa më larg pikës ku ndodhej si President. Vetëm ata që kanë qenë dhe janë në krye të shtetit të Kosovës, e dinë se sa e madhe apo sa e vogël është Kosova, në raport me botën e jashtme, në të cilën ajo kërkon vendin e vet të nderit. Nga jashtë duket krejt e lehtë dhe gabimet shihen më të mëdha dhe qimja duket tamam si tra. Por kur je në krye të punëve, kur nuk je as Alien e as Orë (Zanë), por një qenie njerëzore si gjithë të tjerët, që bën edhe gabime, që bën edhe lëshime, që mëson nga pësimet dhe çdo ditë është një faqe e re bosh, që duhet plotësuar prej teje, duhet shkruar me dorën tënde, me mundin tënd, me sjelljen tënde dhe aktet që prodhon si president, por edhe si njeri, natyrisht që ke kufizime që duhen kuptuar.
Libri “Ora e Kosovës”, plotëson një hapsirë boshe në historiografinë e Kosovës së re, të asaj Kosove moderne, e cila duhet të tregojë për publikun vendas e të huaj, jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe arritjet e deritanishme, sfidat dhe perspektivën e së ardhmes. Ky libër, ashtu si edhe disa të tjerë që janë botuar deri më tani dhe ato që do të vijojnë në të ardhmen nga i njëjti autor ose autorë të tjerë, ndriçon në disa skuta të panjohura të jetës politike në Kosovë dhe jashtë saj. Me një gjuhë të pastër dhe stil të thjeshtë rrëfimi, Fatmir Sejdiu, i risjell ngjarjet e Kosovës të gjalla dhe të kuptueshme për çdo lloj lexuesi. Duke shmangur mjaftueshëm rrëfimin autobografik në vetë të parë, ai duket se është kujdesur që në qendër të rrëfimit të jetë “Ora e Kosovës”, pra fati dhe jeta e një shteti që po lind!
Natyrisht, si dëshmitar në vetë të parë, ai na ndihmon të kuptojmë më mirë arsyet e disa zhvillimeve dhe të qartësohemi për disa pikëpyetje që kemi patur deri tani.
Personalisht, pata privilegjin që ta lexoj këtë libër, duke qenë edhe dëshmitar i pjesës më të madhe të ngjarjeve që rrëfehen aty me ndershmëri dhe kjo më risolli para syve shumë ngjarje e personazhe me të cilët bashkëjetova atje nga Tetor 2005 deri në shkurt 2009. Po ashtu, për shkak të një marrëdhëniejeje shumë miqësore që kam patur me zotin Sejdiu që nga janari 2006 e në vazhdim, kam “lexuar” gjithë procesin e pavarësisë e shtetndërtimit, para se kjo histori të bëhej libër, si ky për të cilin po bëj këtë shënim. Unë jam dëshmitar i shumë momenteve të vështira emocionale e njerëzore të Presidentit Sejdiu, i cili u përball me shumë sfida të mëdha dhe “stërkëmbsa”, siç e përmend ai disa herë në libër. Po, jam dëshmitar i një lidershipi europianist të Kosovës, i cili me mençuri, urtësi dhe vendosmëri mori vendimet e duhura në kohën e duhur!
Përballë shumë politikanëve në Kosovë është shtruar dilema makiaveliste: A ma mirë të bëj luftë për shtet apo për pushtet? Unë, në këtë moment nuk dua të them se çfarë bëri dhe çfarë po bën shumica prej tyre, por me siguri absolute mund të them sot e gjithë ditën se, Fatmir Sjediu, në gjithë kohën (orët e tij) dhe me gjithë qënien e tij bëri luftë për shtet e jo luftë për pushtet!
I gjithë libri na tregon se personazhi kryesor i saj, Presidenti Sejdiu, ka dhënë një kontribut historik për pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës, duke shikuar si qendër të objektivit dhe interesit të tij shtetin dhe jo pushtetin. Kjo mund të verifikohet lehtë nga ata që do ta lexojnë librin dhe të mësojnë prapaskenat e lojrave politike të aktorëve dhe faktorëve të tjerë, të cilët në qendër të interesave të tyre kishin pushtetin, nëpërmjet të cilit synonin të ndërtonin shtetin. Por, filozofia shtetndërtuese e Sejdiut, në momentet kur botërisht diskutohej për statusin e shtetit të tij të ardhshëm, thekson se në qendër të çdo nisme duhej të ishte shteti dhe më pas pushteti. Nëse nuk ndërtohet mirë shteti, kujt do t’i vlejë pushteti? Koha dhe zhvillimet në Kosovë kanë nxjerrë në pah rolin e secilit aktor e faktor. E ardhmja, do të qartësojë akoma më shumë rolin e secilit politikan në këto vite të vështira për Kosovën. Kjo do të ndodhë me të gjithë ata që „e pinë ujin e Kosovës”, përfshi edhe mua. Do të shohim se kush punoi me ndershmëri për Kosovën dhe të ardhmen e saj e kush punoi në Kosovë e me Kosovën për të ardhmen dhe interesat e tij. Por, në këtë rast, dua të theksoj edhe një herë, që jo vetëm bazuar në të vërtetat e shkruara nga ish-Presidenti në librin e tij, por nga veprimtaria e tij e përgjithshme para, gjatë dhe pas presidencës që ai e drejtoi me dinjitet, Fatmir Sejdiu rreshtohet natyrshëm përkrah Ibrahim Rugovës, vizionin e të cilit ai e çoi përpara dhe me sukses të plotë.
Libri „Ora e Kosovës“, përveç të tjerave ka edhe vlera historike, për shkak se në të përmblidhen me saktësi ngjarje e data, vende e personazhe, deklarata e marrëdhënie, të cilat dokumentohen nga një personazh i pazakonshëm, siç është Presidenti Sejdiu. Për të gjithë ata që duan të studiojnë historinë e shtetit të ri të Kosovës, kanë se çfarë të mësojnë nga ky libër, i cili pasuron bibliotekat akademike dhe arsimore brenda e jashtë Kosovës. Aty mund të shihet fare mirë se kush qe me Kosovën e kush ishte (dhe vazhdon të jetë) kundër saj e, për më tepër, e kupton se përse SHBA, duhet të mbetet partner strategjik për Kosovën dhe pse duhen dëgjuar këshillat e saj.
Edhe në këtë libër na dëshmohet qartë se pa mbështetjen e SHBA, Kosova do të ishte edhe sot një ish-provincë serbe nën juridiksionin e OKB-së, në një udhëkryq ekzistencial dhe të rrezikshëm. Ajo ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe, lidershipi aktual duhet të shikojë me dashamirësi se si ka ardhur Kosova deri këtu dhe kush e ka mbajtur atë përdore në momentet më të vështira të saj. Lidership i suksesshëm nuk është vetëm kryesimi në sondazhe partiake, por puna e përditshme për shtetin e Kosovës, duke lënë anash ndonjëherë luftën për pushtet. Për ata që angazhohen në politikë, ndonjëherë ka më shumë rëndësi mënyra se si del prej saj, sesa mënyra si ke hyrë. Dalja me dinjitet nga skena politike, është veti e burrshtetasve që sakrifikohen për vendin e tyre dhe nuk e sakrifikojnë vendin për veten e tyre.
Në përfundim mund të them se “Ora e Kosovës“ dhe “Ora e Sejdiut“, kanë qenë dhe mbeten në sinkron me njëra-tjetrën, duke dëshmuar se, pavarësisht vështirësive, Kosovës nuk i kanë munguar dhe nuk do t’i mungojnë kurrë burrshtetas të tillë, që i dalin zot vendit e popullit të vet.