Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në KiE, kalimin e fazës së parë për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
Ai ka uruar qytetarët e Kosovës drejtpërsëdrejti nga ky institucion, duke thënë se është moment i veçantë.
“Qytetarë të Kosovës jemi drejtpërdrejt nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Urime për vendimin e Këshillit të Ministrave që Kosova të ecë përpara drejtë anëtarësimit të vet. Është një moment i veçantë, është një punë e madhe e delegacioneve të mëparshme dhe të këtij delegacioni, ende ka punë për të bërë. Mirëpo, pa asnjë dyshim ky është hapi më i madh i Kosovës drejt anëtarësimit në këtë institucion”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se shtetndërtimi dhe rrugëtimi i Kosovës ka një bazë të fuqishme në rrugën e lirisë dhe sakrificës së kombit.
“Kosova është tregim i suksesshëm, rrugëtimi dhe shtetndërtimi ynë ka një bazë të fuqishme në luftën e lirisë dhe sakrificën e madhe të kombit tonë, njëkohësisht në vlerat evropiane që ne i përfaqësojmë me Kushtetutën dhe ligjet tona. Jemi shtet i pavarur dhe do të qëndrojmë kështu”, është shprehur Tahiri.
Për këtë vendim të marrë të hënën, ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, tashmë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit dhe tani, sipas tij, së shpejti flamuri i shtetit më të ri në Evropë do të valojë në organizatën më të vjetër të Evropës.
“Lajm i jashtëzakonshëm që Kosova mori përkrahje nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kaloi etapën e parë të anëtarësimit! Së shpejti, flamuri i shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, do të valojë në organizatën më të vjetër të Evropës, Këshillin e Evropës”, është shprehur Hoxhaj.