Përgatiti: Benita Zeneli
Opozita po e konsideron të gabuar përfshirjen e përdorimit të dinarit si temë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Të martën, përfaqësues të dy vendeve u takuan në Bruksel, me ftesë të ndërmjetësuesit nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajcak, për të folur për rregulloren e Bankës Qendrore, mirëpo nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Për këtë zhvillim, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, po e kritikon qeverinë.
“Problemi qëndron se kjo qeveri do të thotë i nxjerr disa tema pa kurrfarë nevoja që pastaj kthehen në tema që e pengojnë ecjen e Kosovës përpara dhe në veçanti e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e vet në formësimin dhe forcimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar. Kjo ka ndodhur, pra nuk duhet diskutohet dinari askund mirëpo duhet të trajtohet me partnerët tanë Kosovë për me u gjet një zgjidhje”, tha Tahiri.
Ndryshe vlerëson deputeti i pushtetit, Driton Hyseni, që thotë se në takim, guvernatori Ahmet Ismaili vetëm i ka dhënë sqarimet e nevojshme për rregulloren që e njeh vetëm euron si valutë zyrtare në Kosovë.
“Unë mendoj që është qartësuar me vizitën që zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës që e kanë bërë në Bruksel. Guvernatori i Bankës Qendrore e dha njoftimin lidhje me të gjitha sqarimet që ka pasur nevojë të diskutohen me të gjitha palët e interesuara në Bruksel në lidhje me lehtësirat që Banka Qendrore e Kosovës ka ofruar për të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që ata të mos kenë as një vështirësi sa i takon qasjes në shërbimet bankare”, tha Hyseni.
Ndërkohë të shtunën Presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, në një konferencë është shprehur i bindur që Banka Qendrore e Kosovës nuk do ta ndryshojë rregulloren, andaj ka thënë se në vazhdim do të marrë siç u shpreh, “vendime të ndryshme” për të gjetur mënyra se si të dërgohen pagesat te qytetarët serbë të Kosovës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






