Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave që u arrestuan gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe Pejë, në kuadër të operacionit “Qielli i thyer”.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta.
“Sot me fillim nga ora 13:00 është caktuar të mbahet seanca dëgjimore”, deklaroi ajo.
Ndryshe, të pandehurit dyshohet për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe pastrimi i parave.
Të pandehurit dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e enkriptuar “SkyECC” për të koordinuar aktivitetet e tyre kriminale.
Kujtojmë se gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: 638 gramë kokainë, mbi 11 mijë euro para të gatshme, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente të rreme, pajisje elektronike si dhe dokumentacion pronësor e financiar.
Aksioni i djeshëm i policisë është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-in, duke siguruar koordinim ndërkufitar.
Aplikacionin e njëjtë “SkyECC” e kishin përdorur 22 persona të tjerë të cilët u arrestuan një aksion të madh në qershor të këtij viti.
Avokati Visar Rrecaj tregoi se personat qe ngarkohen me këtë vepër penale mund të dënohen dy deri në 10 vite burg.
Ndërsa, Muharrem Ademi nga Labyrinth thotë se kokaina është droga që po përdorë më së shumti në Kosovë.
Ndërsa vetëm gjatë 5 viteve të fundit janë arrestuar 148 persona për kultivimin bimës kanabis sativa.