OpenAI emëron shefin e ri, i vjetri i bashkohet Microsoft-it

Kompania OpenAI ka emëruar ish-shefin e Twitch, Emmett Shear si drejtor të përkohshëm, ndërkaq ish-shefi i kësaj kompanie, Sam Altman, i është bashkuar Microsoft-it në një varg episodesh befasuese në industrinë e inteligjencës artificiale.

Këto emërime, që ndodhën të dielën mbrëma, vijnë pas largimit të Altman disa ditë më parë nga posti i drejtorit të krijuesit të ChatGPT, duke u dhënë fund spekulimeve se ai mund të kthehej në OpenAI.

Në një deklaratë të publikuar në X – që më herët njihej si Twitter – Shear hodhi poshtë spekulimet se bordi i OpenAI ka shkarkuar Altmanin për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë e modeleve të fuqishme të inteligjencës artificiale. Ai u zotua se do të nisë një hetim lidhur me këtë shkarkim, do të shqyrtojë një menaxhim të ri për OpenAI dhe të vazhdojë rrugën që kjo teknologji të jetë e qasshme, sikurse chatbot-in e tij viral.

“Nuk jam aq i çmendur sa të pranoj këtë vend pune pa pasur mbështetjen e bordit për komercializimin e modeleve tona të mrekullueshme”, tha Shear, duke shtuar se “stabiliteti i OpenAI dhe suksesi jonë është shumë i rëndësishëm sa të lëmë që kjo mosmarrëveshje të na dëmtojë”.

Shear ka bashkëthemeluar Twitch dhe më herët gjatë këtij viti kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e një platforme të ngjashme të transmetimit të drejtpërdrejtë të videove në Amazon.com.

OpenAI shkarkoi Altmanin të premten për shkak të ”mungesës së komunikimit” sipas një memoje të brendshme, që e ka parë Reuters.

Altman ishte bashkëthemelues i kompanisë që ndikoi në një bum në industrinë e inteligjencës artificiale gjeneruese, duke lëshuar në përdorim një vit më parë ChatGPT-në, chatbot-in që u bë një prej programeve më të popullarizuara kompjuterike në botë.

Drejtori i Microsoft, Satya Nadella, shkroi në X se Altman do të bëhet drejtor i një grupi të ri hulumtues të kompanisë, së bashku me kolegët e tjerë që u larguan nga OpenAI sikurse presidenti Greg Brockman, i cili dha dorëheqje pasi Altman u shkarkua.

Microsoft ka investuar miliarda dollarë në OpenAI dhe ka rrezikuar investimet në këtë kompani pasi lëshoi në përdorim platformën Copilot për konsumatorët e tij, bazuar në teknologjinë e OpenAI.

Mëngjesin e së hënës, aksionet e Microsoft u tregtuan në bursa për pothuajse 2 për qind, pasi mori njerëzit kryesor të OpenAI me synim që të stabilizojë këtë kompani dhe që të u pamundësojë rivalëve të tij, Alphabet, Google dhe Amazon.com që të punësojnë njerëzit e talentuar të OpenAI.

Microsoft kishte mbështetur rikthimin e Altman në OpenAi, sipas burimeve.

Nadella dhe Shear kanë thënë se kompanitë vazhdojnë të jenë të përkushtuara që të bashkëpunojnë, përderisa burimet pritet të shkojnë në grupin e ri që Altman do të udhëheqë në Microsoft.

Nadella shkroi në X se “misioni vazhdon”, teksa ripublikoi postimin e Altman.

Vendimi i bordit për të mos rikthyer Altmanin si shef të OpenAI shqetësoi investitorët dhe punonjësit lidhur me rrugën që do të marrë kompania. Ata shprehën frikën se një numër i madh do të largohen nga kompania, që do të mund të ndikojë në të ardhurat e kompanisë.

Pak pasi Shear u emërua si shef, punëtorët e pakënaqur u larguan nga selia kryesore e OpenAI në San Francisko, raportoi The Information.

Dhjetëra pjesëtarë të stafit njoftuan të dielën mbrëma se do të largoheshin nga kompania, thanë burimet. Disa liderë të kompanisë publikuan në X mesazhin që thoshte “OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e tij”.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA