Olympiacos shkatërron Fenerbahcen dhe siguron finalen e EuroLeague

Olympiacos është finalisti i parë i EuroLeague, pasi skuadra greke mposhti bindshëm Fenerbahcen me rezultat 79-61 në gjysmëfinalen e madhe të “Final Four”-it, duke konfirmuar forcën dhe eksperiencën në momentet vendimtare të sezonit.

Përballja nisi me ritëm të ulët dhe shumë gabime nga të dyja skuadrat, por Olympiacos ishte i pari që mori kontrollin e ndeshjes. Dy treshe të njëpasnjëshme nga Tyler Dorsey ndezën skuadrën greke, e cila krijoi menjëherë një seri 8-0 dhe vendosi tonin e sfidës.

Fenerbahce u duk pa ide në sulm në minutat e para, me shumë topa të humbur dhe përqindje të dobët në gjuajtje, ndërsa çereku i parë u mbyll me epërsinë 18-12 për Olympiacosin.

Skuadra greke vazhdoi dominimin edhe në periodën e dytë, duke e çuar diferencën në shifra dyshifrore. Megjithatë, Fenerbahce reagoi përmes mbrojtjes agresive dhe energjisë së tifozëve të saj, duke e ngushtuar rezultatin në 33-24 para pushimit.

Edhe pas rikthimit në parket, skenari mbeti i njëjtë. Olympiacos kontrolloi ritmin e lojës dhe e zgjeroi avantazhin në 56-41 në fund të çerekut të tretë, duke lënë përshtypjen se finalja ishte vetëm një hap larg.

Fenerbahce tentoi një rikthim të fundit në çerekun vendimtar, duke e ulur diferencën në shtatë pikë dhe duke ushtruar presion mbi grekët, por Olympiacos nuk lejoi surpriza. Një seri e shpejtë 5-0 në minutat e fundit shkatërroi çdo shpresë të skuadrës turke dhe vulosi fitoren e madhe 79-61.

Alec Peters ishte lideri i Olympiacosit me 17 pikë, ndërsa Sasha Vezenkov shtoi 16 pikë dhe 5 kërcime. Tyler Dorsey kontribuoi me 15 pikë në një paraqitje vendimtare.

Te Fenerbahce, më i miri ishte Tarik Biberovic me 17 pikë dhe 6 kërcime, ndërsa Talen Horton-Tucker realizoi 16 pikë, por pa mundur të shmangë eliminimin e skuadrës turke.

Me këtë triumf, Olympiacos rikthehet në finalen e EuroLeague dhe tani pret të mësojë kundërshtarin në betejën për trofeun më të madh të basketbollit evropian.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA