Donjeta Sadiku nuk ka arritur të kualifikohet në finalen e Kampionatit Evropian të boksit amator, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, por megjithatë e mbyll garimin me një medalje të rëndësishme.
Boksierja kosovare, në kategorinë deri në 60 kilogramë, u përball në gjysmëfinale me përfaqësuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova. Pas një dueli të luftuar, gjyqtarët vendosën në favor të boksieres serbe me rezultat 4:1.
Kjo ishte një përballje që kishte edhe një histori të afërt mes dy boksierëve. Sadiku dhe Kuluhova ishin takuar edhe në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku triumfi i kishte takuar boksieres kosovare. Kësaj radhe, fitorja i takoi Kuluhovës.
Pavarësisht humbjes në gjysmëfinale, paraqitja e Sadikut në Sofje ka qenë e mjaftueshme për t’i siguruar asaj vend në podium dhe medaljen e bronztë të Kampionatit Evropian.
27-vjeçarja e kishte siguruar medaljen një ditë më herët, pas fitores në çerekfinale ndaj boksieres holandeze, Maud van der Toorn.
Kështu, aventura e Donjeta Sadikut në këtë Evropian përfundon me medalje. Edhe pse nuk arriti të prekë finalen, boksierja kosovare largohet nga Sofja me një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare dhe me një medalje të bronztë për Kosovën.





