NJSI-ja s’heq dorë, nesër proteston sërish para qeverisë

Përgatiti: Driton Sadiku

Njësia speciale intervenuese e Policisë nuk do të zmbrapset nga kërkesat e saj.

Kjo njësi elitare të martën do të protestojë përsëri para qeverisë me kërkesa të njëjta.

Veçse kësaj here, ajo ka thirrur edhe njësitet e tjera për t’iu bashkuar, ndonëse nuk dihet nëse thirrjes së saj do t’i përgjigjen edhe të tjerët.

Sidoqoftë, që kërkesat e saj të plotësohen, do të duhet medoemos që të ndryshohet ligji për paga në sektorin publik me gjithë shtojcën përcjellëse.

“Është shtojca d.t.th., ku bëhet kategorizimi i pozitave te zyrtarët publikë, por edhe te të gjitha pozitat që marrin pagë nga buxheti i shtetit, është pjesë përbërëse e vetë ligjit për pagat, kështu që në mënyrë që kjo shtojcë të plotësohet apo të ndryshohet, atëherë do të nënkuptonte që duhet të plotësohet dhe ndryshohet edhe vetë ligji”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Kërkesa bazë e kësaj njësie është kategorizimi si njësi e veçantë dhe përfshirja në listën e ekspertëve, që rrjedhimisht do ta kishte koeficientin e pagës më të lartë.

“Janë një kategori e pozitave ekspertë nëpër institucione të ndryshme si në OSHP, prokurori speciale e pozita të tjera, të cilat kanë trajtim më të mirë dhe koeficienti i të cilëve kalon prej 9”, tha Miftaraj.

Me një koeficient të tillë prej 9.4, i bie që një zyrtar policor i kësaj njësie të merrte 987 euro pagë bazë. E nëse do t’i paguhej edhe rrezikshmëria siç po kërkon njësia, prej 50 për qind e pagës bazë, i bie që një zyrtar policor i njësisë speciale të merrte pagë 1480 euro.

Mirëpo, me ligjin e ri shtesa për kushte specifike ku hyn edhe rrezikshmëria, nuk mund të jetë më e lartë se 1% e fondeve totale të përdorura nga organizata buxhetore, për pagën bazë të zyrtarëve publikë të organizatës buxhetore në të njëjtin vit financiar. Kësisoj i bie që nga buxheti prej rreth 84 milionë eurosh për policinë e Kosovës, vetëm 840 mijë euro të jenë për shtesa për kushte specifike të punës.

Megjithatë, Qeveria, të paktën në një javë nga protesta e parë, nuk i mori parasysh kërkesat e kësaj njësie policore.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA