Përgatiti: Krenare Mulliqi
Asnjë koeficient në këto tabela të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, nuk do të vlejë nga janari, prej kur pritet të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave. Të gjithë zyrtarëve do t’u rritet koeficienti për 0.5, dhe po kaq edhe në korrik 2025, që do të thotë dy herë nga 55 euro rritje.
Njohësit thonë se kjo formë përbën shkelje ligjore.
“Neni 42 i Ligjit e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit, pikërisht për këtë qëllim është vendosur ky nen…”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.
Ndërsa, Neni 9 i po këtij ligji ia lejon qeverisë përcaktimin e vlerës monetare, çdo vit, me Ligjin për Buxhetin. Aktualisht vlera e koeficientit është 110 euro.
Që të shmanget pabarazia, Miftaraj konsideron se ka mundësi ligjore të tjera.
“Nëse paga e presidentes është shumë e madhe, merr vendim rriti pagat vetëm për mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, sepse edhe në këtë formë nuk ka barazi, sepse koeficienti është rritur tek të gjithë njësoj..”, tha Miftaraj.
Ndërsa, Arton Demhasaj nga ÇOHU thotë se rritja e pagave do të duhej të ishte paralel me zhvillimin ekonomik.
Ligji për Paga në Sektorin Publik u miratua në fund të vitit 2022.