Një vit e gjysmë që nga nënshkrimi i Deklaratës për të Zhdukurit, ende nuk po zbatohet

Përgatiti: Fatlum Jashari

Një vit e gjysmë nga Deklarata e Përbashkët për të Zhdukurit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, ende nuk ka nisur zbatimi i saj.

Kjo përkundër se me marrëveshjen bazë dhe shtojcën, çështja e të zhdukurve gjatë luftës cilësohej si urgjencë – dhe palët ishin zotuar për bashkëpunim të ngushtë në identifikimin e zonave potenciale të varrezave dhe për gërmime.

Që atëherë Kosova dhe Serbia nuk janë marrë vesh për Termat e Referencës së Komisionit të Përbashkët për monitorimin e punës së Grupit Punues ekzistues.

Krahas njoftimit se kjo temë u diskutua të enjten në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, BE-ja konfirmoi për ATV-në se nuk ka marrëveshje ende.

“Zbatimi i Deklaratës së Përbashkët nuk ka filluar ende. Kjo do të ndodhë pasi palët të pajtohen për Termat e Referencës të Komisionit të Përbashkët, i cili parashihet të monitorojë zbatimit e Deklaratës së Përbashkët, në mbështetje të punës së Grupit Punues të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Por, pa dhënë detaje, blloku 27-anëtarësh njoftoi se janë në pritje të zhbllokimit të situatës.

“Derisa një marrëveshje është në arritje, Përfaqësuesi i Posaçëm Lajcak është në pritje të komenteve për një çështje të fundit të hapur. BE-ja përsërit se në fund të fundit kjo ka të bëjë me njerëzit – me familjet e atyre që janë ende të zhdukur – dhe kjo çështje nuk duhet të politizohet. Mungesa e angazhimit vetëm sa e vonon edhe më shumë përparimin shumë të nevojshëm në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet më tej në njoftimin e BE-së.

Pa treguar hollësi, në kabinetin e zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimi, thanë se Serbia po e bllokon zbatimin e deklaratës së përbashkët.

“Serbia insiston të shtohet një “side letter” krah deklaratës së përbashkët, duke zvarritur edhe më tej fillimin e zbatimit të saj. Për të ardhur keq është fakti që Serbia vijon ta keqpërdorë për qëllime politike një çështje të një urgjence humanitare siç është ajo që lidhet me personat e pagjetur”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Në mars të këtij vitit, në një intervistë për ATV-në, zëvendëskryeministri Bislimi kishte thënë se Serbia kishte kërkuar ndryshimin e një neni i cili ka për qëllim rregullimin e mos-marrëveshjeve në Grupin Punues.

Në këtë kontekst, pa dhënë sqarime ai kishte thënë se është element që e prek mënyrën e funksionimit të Grupit Punues dhe se ka pasur dakordim paraprak që të largohet pjesëmarrja e UNMIK-u.

Më shumë se 1600 persona ende mbesin në listën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA