PËRGATITI: ARTON HAMITI
Abdullah Gashi thotë se këto gërmadha nuk janë vetëm pamje e rrënimit të një objekti, por edhe të një pjese të kujtimeve nga fëmijëria e tij.
Shkolla e njohur dikur si “Drenica” në fshatin Polac, e vjetër 61 vjet, u rrënua mëngjesin e së enjtes.
“Kjo shkollë u djeg nga forcat serbe, e kemi ngrit përsëri dhe sot të rrënohet, kjo është e turpshme. Beso kur e kam pa në këtë gjendje, jam kthyer në kohen e luftës”, deklaroi asamblisti Abdullah Gashi.
Sipas një raporti të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, në të cilin pati qasje ATV-ja, shkolla e ndërtuar më 1963 ishte në procedurë për t’u bërë pjesë e trashëgimisë së mbrojtur.
Ky fakt, e bën edhe më të dhimbshme rrënimin e një prej institucioneve arsimore më të vjetra në rajonin e Skenderajt.
“As Serbia nuk ka bërë më shumë se Qeverisja e PDK-së për ta rrënuar historinë e këtij vendi. Pa asnjë procedurë u vendos qe shkolla të rrënohet”, tha Hysni Mehani.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore menjëherë i ka vendosur shiritat, por të premten tha se është ende fazë e hershme për t’u deklaruar për rastin.
Në anën tjetër, nga komuna nuk treguan nëse kanë qenë në dijeni se ky objekt do të kalonte në përkujdesje të nivelit qendror, por thanë se prona nuk i takon më pushtetit lokal, ndërsa rrënimi u bë nga një kompani private.
“Prona në fjalë i është dhënë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vite përmes procedurave ligjore nga Kuvendi Komunal kompanisë “TehnoBurimi” D.D Sh.A, për ndërtimin e fabrikës së industrisë së drurit. Andaj, kompania në fjalë, është duke vepruar brenda hapësirës qe i është dhënë në shfrytëzim, në zonën e cila në bazë të Hartës Zonale të Komunës është pronë me destinim industrial”, njoftuan nga Komuna e Skenderajt.
Sidoqoftë, fabrika në fjalë që filloi të ndërtohej para 3 vjetëve nuk është funksionalizuar akoma./atvlive.tv





