Dy zyrtarë policorë të Njësitit të Trafikut në Pejë po përballen me drejtësinë, pasi Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 20 prill 2025 në fshatin Poterq të Klinës, ku zyrtarët A.Sh. dhe S.K. kishin ndaluar një veturë të tipit Golf 8 për tejkalim të shpejtësisë. Në vend se të vepronin sipas procedurave ligjore dhe t’i shqiptonin gjobë shoferit, ata dyshohet se i kërkuan 20 euro, të cilat i kërkuan t’ua dërgonte përmes një pompe të derivateve në Pejë.
Dëshmitari, që është punonjës i pompës së derivateve, kishte pranuar kartëmonedhën dhe më pas ia kishte dorëzuar atë zyrtarit policor A.Sh.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë. Po ashtu, prokurori i shteti me rastin e ngritjes se aktakuzës , ka propozuar gjykatës që të pandehurve t’ju shqiptohet edhe ndalimi i ushtrimit të profesionit”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Pejës.