​ Ngjashmëritë e frikshme mes veprimeve të Vuçiqit dhe Millosheviqit – Një regjim, një retorikë, një skenar për pushtet

Në qendër të Beogradit në Serbi, përballë Kuvendit Popullor skenat e ditëve të fundit duken të njohura për ata që e kujtojnë fundin e regjimit të Slobodan Millosheviqit. Simbolika politike, retorika ndaj opozitës dhe shfaqja publike e forcës janë pothuajse njësoj si tri dekada më parë. Por kësaj radhe, protagonisti është Aleksandar Vuçiq.

“Nga djepi deri në varr, gjysmë Vuçiq, gjysmë Slloba” – ky është slogani që po përhapet në rrjetet sociale dhe protestat qytetare, duke nënvizuar ngjashmëritë e frikshme mes dy liderëve autoritarë që, me vite, kanë dominuar jetën politike në Serbi, shkruan N1, transmeton KosovaPress.

Në qendër të këtyre paraleleve qëndron nevoja për të projektuar një mbështetje masive, plebishitare, përmes tubimeve të organizuara, flamujve, duartrokitjeve të koreografuara dhe retorikës nacionaliste. Pikërisht si Millosheviqi në vitin 1997, edhe Vuçiq ka parakaluar së fundmi mbi qilimin e kuq, duke përshëndetur turmën, në një tentativë për të imituar legjitimitetin popullor.

Sipas historianit serb, Srgjan Millosheviq, kjo është natyra e regjimeve autoritare që, në kohë krize, përpiqen të krijojnë iluzionin e mbështetjes masive. Skenat e shfaqura në Beograd nuk janë autentike, por më tepër përpjekje të dëshpëruara për të vonuar fundin e pashmangshëm politik.

Ngjashmëritë nuk ndalen vetëm në imazhe, por përfshijnë edhe gjuhën politike dhe mënyrën e trajtimit të kundërshtarëve. Millosheviqi i quante opozitarët “mercenarë të huaj”, ndërsa Vuçiq përdor etiketime si “bllokues” dhe “terroristë të brendshëm”, duke kërkuar armik në çdo kritik të brendshëm apo ndërkombëtar.

“Nuk sulmojnë Serbinë për shkak të Vuçiqit, por Vuçiqin për shkak të Serbisë” – kjo fjali e Vuçiqit është thuajse kopje e asaj që Millosheviqi deklaroi pak para se të humbiste pushtetin: “Nuk sulmojnë Serbinë për Millosheviqin, por Millosheviqin për Serbinë.”

Për analistin politikë serb, si Aleksandar Popov, kjo është shenjë e qartë e frikës nga fundi politik. “Vuçiq, si Millosheviqi, kërkon të krijojë tensione të brendshme dhe të jashtme për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e tij dhe për të ruajtur pushtetin.”

Në kontrast me vitet ’90, ku dhuna policore ishte e institucionalizuar, sot në Serbi ajo shpesh vjen nga figura pa uniformë, grupe të dyshimta paramilitare apo zyrtarë të partisë SNS në pushtet, duke reflektuar format moderne të represionit të maskuar.

Në kontekstin e sigurisë rajonale këto zhvillime janë alarmante. Regjimi i Vuçiqit i cili është shndërruar në simbol të autoritarizmit hibrid, ndjek modelin e Millosheviqit jo vetëm në retorikë, por edhe në strategjinë e polarizimit shoqëror, kontrollit të mediave dhe krijimit të realiteteve alternative përmes propagandës.

“A ka ardhur fundi i kësaj makinerie të përçarjeve shoqërore që po përsëritet prej dekadash? Kjo mbetet për t’u parë – por paralelizmat janë tepër të qarta për t’u injoruar”, shkruan n1.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA