Ronaldinho do të jetë një nga figurat më të veçanta të Kampionatit Botëror 2026, por kësaj radhe larg fushës së lojës. Legjenda braziliane është përzgjedhur nga transmetuesi brazilian TV Globo për të pasur një rol unik gjatë mbulimit mediatik të turneut që do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas raportimeve të mediave braziliane, ish-ylli i Barcelonës dhe kombëtares së Brazilit nuk do të jetë thjesht analist televiziv, por një figurë qendrore që do të sjellë atmosferën e Botërorit më afër tifozëve.
Roli i Ronaldinhos pritet të jetë dinamik dhe mjaft ndryshe nga format tradicionale të televizionit sportiv. Ai do të ndjekë ndeshjet drejtpërdrejt nga stadiumet, do të vizitojë kampet stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse dhe do të realizojë intervista ekskluzive me futbollistë e personalitete të njohura të turneut.
Përveç kësaj, braziliani do të marrë pjesë në aktivitete dhe evente të ndryshme me tifozët në qytetet kryesore pritëse të Botërorit, duke sjellë energjinë dhe karizmën që e kanë karakterizuar gjithmonë.
Në rrjetet sociale, ky angazhim është komentuar gjerësisht si një koncept krejtësisht “brazilian”, duke e lidhur stilin argëtues dhe spontan të Ronaldinhos me atmosferën festive që shoqëron zakonisht Kampionatin Botëror.
Përmes kësaj strategjie, TV Globo synon të krijojë një përvojë më emocionale dhe më afër publikut, duke e kthyer Ronaldinho në një nga figurat kryesore të spektaklit jashtë fushës gjatë Botërorit 2026.





