Magjistari shqiptar Salih Buzhala, i njohur me emrin artistik MagicSal, është një nga emrat që po përfliten për t’iu bashkuar edicionit të tretë të reality show-t “Ferma VIP”, që pritet të nisë më 27 mars.
MagicSal, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka fituar popullaritet përmes performancave të tij magjike dhe prezencës në rrjetet sociale. Ai ishte përfolur më herët edhe si një nga emrat potencialë për “Big Brother VIP Kosova 4”, megjithatë një gjë e tillë nuk u konfirmua.
Reality show “Ferma VIP” rikthehet këtë pranverë me sezonin e tretë, nën moderimin e Arbana Osmanit. Formati, i cili ndërthur jetën në fermë me sfida fizike dhe dinamika mes personazheve të njohur, ka arritur të tërheqë vëmendje të madhe të publikut në dy edicionet e para.
Në këtë spektakël, konkurrentët vendosen në një ambient rural, ku përballen me punët e përditshme të fermës dhe sfida të ndryshme. Kujtojmë se fitues i edicionit të parë u shpall Dijonis Biba, ndërsa në sezonin e dytë triumfoi këngëtari Big Basta.
Edicioni i tretë pritet të sjellë risi, sfida të reja dhe situata të papritura, megjithatë lista zyrtare e konkurrentëve ende nuk është bërë publike.
Përveç MagicSal, në media janë përfolur edhe disa emra të tjerë si Indri Shiroka, i njohur për rolin e tij në filmin “Pasaporta” të regjisorit Eduart Grishaj, si dhe Inida Gjata (Zhaku), e cila vitin e kaluar ishte pjesë e formatit në rolin e opinionistes. Po ashtu, përmendet edhe balerini Ilir Shaqiri, i cili mund të ketë një rol drejtues në fermë.
Në prapaskenë, si pjesë e stafit të produksionit përmenden emra si Eraldo Rexho dhe Zefina Hasani, ndërsa raportohet se disa ish-pjesëtarë të ekipit të “Big Brother Albania” mund t’i bashkohen këtij projekti.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga produksioni për pjesëmarrjen e MagicSal apo të emrave të tjerë, duke lënë gjithçka në kuadër të spekulimeve që vijojnë të qarkullojnë në media dhe rrjete sociale.






