Përgatiti: Benita Zeneli
Nga e hëna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, do të fillojë vlerësimi multidisiplinar për fëmijët.
Ky shërbim përfshin vlerësimin e aftësive të përgjithshme, komunikuese, si dhe psiko-sociale, që mund të kushtojë rreth 150 euro, por i cili do të ofrohet falas. Këtë do ta bëjë një ekip i përbërë nga psikologë, logopedë dhe ergoterapistë.
Kontrollet e tilla po mundësohen përmes bashkëpunimit të drejtorisë së shëndetësisë në Prishtinë dhe shoqatës “Autizmi”.
“Ata e ofrojnë stafin ndërse ne do ta ofrojmë hapësirën në QKMF. Vlerësimi i tyre tregon çfarë problemi ka dhe përveç kësaj ne kemi bërë një marrëveshje me kolegj privat që ofron shërbime logopedike që ata me na ofruar për 6 muaj një logoped i cili do të punojë në QKMF dhe do të jap shërbime falas ndërkaq edhe vlerësimi do të jetë falas”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.
Për një vlerësim të tillë duhet fillimisht të bëhet termin përmes linjës telefonike.
“Numri telefonik është 038220841 të gjithë munden me u lajmërua. Nuk do të thotë që fëmijët e tyre kanë problem por çdo hezitim që e kanë le të vijnë me bo një kontroll dhe mund të i ndihmojnë”, tha Sadiku.
Iniciativa po vlerësohet pozitive. Sociologu, Jeton Brajshori, thotë se ka shumë fëmijë që kanë nevojë për këto kontrolle, mirëpo shumë prindër hezitojnë, për shkak të kushteve ekonomike.
Vlerësimi multidisiplinar për fëmijët e kryeqytetit do të zgjasë një muaj.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






