Sulmuesi nga Kosova Fisnik Asllani po vazhdon të tërheqë vëmendjen në futbollin evropian me paraqitjet e tij mbresëlënëse te TSG Hoffenheim. Forma e tij e lartë këtë sezon nuk ka kaluar pa u vënë re, pasi disa nga klubet më të mëdha të kontinentit si FC Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund po e monitorojnë nga afër.
Rritja e tij është veçanërisht e dukshme në krahasim me një vit më parë. Në atë kohë, Asllani ishte pjesë e SV Elversberg në Bundesliga 2, duke synuar ngjitjen në elite, një objektiv që nuk u arrit në fund. Megjithatë, vendimi për t’u rikthyer dhe për të qëndruar te Hoffenheimi doli të ishte vendimtar për karrierën e tij.
Brenda një sezoni, ai arriti të sigurojë vendin e titullarit dhe të shndërrohet në një nga pikat kryesore të sulmit, duke lënë në hije edhe emra si Mërgim Berisha. Statistikat e tij flasin qartë, tetë gola dhe pesë asistime në 26 ndeshje, një kontribut i rëndësishëm për skuadrën gjermane.
Performanca e tij e mirë nuk është kufizuar vetëm në nivel klubesh. Me Kombëtaren e Kosovës, Asllani është bërë pjesë e rëndësishme e formacionit të trajnerit Franco Foda, duke luajtur përkrah Vedat Muriqi në skemën 3-5-2. Ai ka ndihmuar ndjeshëm ekipin në rrugën drejt një kualifikimi historik në Kupën e Botës 2026.
Me formën aktuale, pritet që Asllani të vazhdojë si titullar edhe në sfidat e ardhshme, ndërsa interesimi nga klubet e mëdha mund të konkretizohet gjatë verës, ku përflitet për një transferim që mund të arrijë vlerën 25–30 milionë euro.






