Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Por, nga 1 korriku, sipas kërkesës së Agjencisë Për Informim dhe Privatësi, ndërmarrjet do ta ndryshojnë formën e shpërndarjes së tyre.
Të gatshëm për ta zbatuar Ligjin për Mbrojtën e të Dhënave, shprehen nga kompania që faturon shpenzimin e energjisë elektrike. KESCO-ja ka përzgjedhur dy forma, megjithëse për njërën ka dyshime nëse mund të realizohet plotësisht.
“Po tentojmë ta bëjmë shpërndarjen e faturave në formë digjitale, por ne jemi të përkushtuar për me i mbrojtë të dhënat personale… Në kemi filluar t’i zarfojmë, nuk është edhe e lehtë, mungesa e kutive postare është problem në vete, ka vështirësi logjistike… ne jemi ndërmarrje dhe nëse kemi shpenzime duhet t’u barten edhe konsumatorëve”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.
Por, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk pranojnë assesi që kostot shtesë të alternativave t’u faturohen qytetarëve. Sipas drejtoreshës, Lumnije Demi, kjo është çështje e ndërmarrjeve.
“Ne kemi zhvilluar takime, në shkurt e kemi adresuar kërkesën, tashmë ndërmarrjet e dinë se çfarë rëndësie ka ruajtja e të dhënave të konsumatorit… Qëllimi i agjencisë nuk është të ndërmarrë veprime sanksionuese, por vetëm t’i mbrojë të dhënat e personale… meqë jemi në përfundim të afatit, po presim që shpërndarjen e faturave, ndërmarrjet ta bëjnë komfort ligji… barrierat nuk mund t’u faturohen qytetarëve, kutitë postare janë çështje e ndërmarrjeve”, tha Demi.
Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati vetëm për sezonin e ardhshëm, meqë ka mënyrë tjetër të faturimit.
VOX: Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it
“Ne kemi përkrah menjëherë këtë rekomandim, prej sezonit të ardhshëm faturat do t’i shpërndajmë me zarfe…”, tha Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it.
Njësoj do të veprojë edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
“KRU “Prishtina” ka lansuar tashmë aplikacionin ku të gjithë konsumatorët mund të regjistrohen, të monitorojnë faturat e tyre, po ashtu edhe pagesën ta kryejnë online. Madje, muajt në vazhdim ne do ta bëjmë shpërndarjen e faturave me zarf, ashtu siç ka rekomanduar Agjencia për Privatësi”, thuhet në përgjigjen nga KRU “Prishtina”.
Kërkesën e agjencisë ndërkaq e mirëpresin qytetarët.
“Nuk kam asnjë vërejtje, kjo është në të mirën e popullatës, pse ta dinë kojshitë ose dikush i treti se sa më ka ardhë rryma mu”, thotë Kolë Ramaj, qytetar.
“Për neve është ma mirë a për ata që e vjedhin jo, tash pe shfrytëzojnë shumë jon tu e vjedhë, inshalla ndalën”, tha Ali Latifi, qytetar.
Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale. Nëse pas datës 1 korrik, ka shkelje në zbatimin e vendimit konform Ligjit për mbrojtjen e privatësisë, ndërmarrjet do të gjobiten deri në 50 mijë euro.