Neymar e ka zbuluar se vendimi i tij për tu larguar nga futbolli evropian dhe për t’iu bashkuar Ligës Pro Saudite te Al Hilal ishte për shkak të ambicies së tij për tu bërë një lojtar global.
Neymar kompletoi transferimin e tij prej 90 milionë eurosh në Arabinë Saudite pasi që u largua nga kampioni i Ligës 1, Paris Saint-Germain pas gjashtë viteve me klubin, raporton KosovaPress.
Neymar do të përfitojë afro 300 milionë euro pasi që arriti marrëveshje dyvjeçare me Al Hilal, por ka thënë se e vërteta është që largimi nga PSG nuk u bë për shkak të parave.
“Kam arritur shumë në Evropë dhe kam shijuar kohë të veçanta, por gjithmonë kam dashur të jem një lojtar global dhe të provoj veten me sfida dhe mundësi të reja në vende të reja. Unë dua të shkruaj një histori të re sportive dhe Liga Pro Saudite ka energji të jashtëzakonshme dhe lojtarë cilësorë për momentin”, tha Neymar.
Neymar largohet nga futbolli evropian pas një qëndrimi 10-vjeçar në Evropë, ku ai gëzoi sukses si në Barcelonë ashtu edhe te PSG.