Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në lutën e shtetit të tij me grupin militant palestinez, Hamas, përderisa ushtria e tij po vazhdon ta sulmojë nga ajri Rripin e Gazës.
“Ajo se çfarë do të përjetojë Hamasi do të jetë e vështirë dhe e tmerrshme… ne do ta ndryshojmë Lindjen e Mesme”, u tha Netanyahu zyrtarëve nga jugu i shtetit, ku militantët e Hamasit kryen një sulm të befasishëm mëngjesin e 7 tetorit.
“Ky është vetëm fillimi… ne do t’i mposhtim ata me forcë, me forcë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Militantët e Hamasit hynë në qytete dhe komunitete në jug të Izraelit mëngjesin e së shtunës, teksa nga Gaza u lëshuan breshëri raketash në territorin e Izraelit.
Ky është sulmi më vdekjeprurës që Izraeli ka përjetuar në dekada.
Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme intensive ajrore në Rripin e Gazës, i cili që nga viti 2007 kontrollohet nga Hamasi.
Mbi 700 persona janë vrarë në Izrael që kur Hamasi nisi sulmet më 7 tetor. Ndërkaq, në Rripin e Gazës është raportuar se të paktën 560 persona janë vrarë. /rel