Bernë, 21 tetor (Nefail Maliqi) – Nesër qytetarët zviceranë do të zgjedhin parlamentin e ri. Në këto zgjedhje me zviceranët për një muaj rresht ishin në fushatë edhe 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar, pra për deputet. Për dallim nga vitet e mëparshme, ky është numri rekord i kandidatëve shqiptarë. Tashmë gati të gjitha mbi 5 milion zarfet me fletëvotime kanë arritur përmes postës te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 26 kantone, njofton gazeta zvicerane në shqip Canton27.ch.
Në Zvicër jetojnë dhe veprojnë 300,000 shqiptarë, prej të cilëve mbi 100 mije posedojnë pasaporta zvicerane
Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Zvicër, pas takimit me presidentin e konfederatës helvetike, së bashku me ministër Hajrulla Çeku, në Ambasadën e Kosovës në Bern, kanë takuar kandidatët shqiptarë në zgjedhjet federale të 22 tetorit, të cilët i kanë uruar fitore dhe suksese në fushatën zgjedhore dhe ditën e votimit.
Sot në Zvicër jetojnë dhe veprojnë 300,000 shqiptarë, prej të cilëve mbi 100 mije shqiptarë nga gjitha viset e Ballkanit, janë të natyralizuar, dmth. që posedojnë pasaporta zvicerane, që më shumë se gjysma e tyre kanë të drejtë vote.
Përderisa migracioni i italianëve në Zvicër kishte nisur menjëherë pas Luftës së Dyte Botërore në vitet e 50-ta, ata sot kanë disa deputetë dhe politikanë në institucionet e larta shtetërore. Kurse, shqiptarët nga Ballkani, sidomos kosovarët, kanë filluar të migrojnë pak më vonë drejt Zvicrës në vitet e 70-ta për arsye të njohura, të politikave diskriminuese dhe presionit nga regjimi serb.
Ndryshe Ueli Leuneberger, themelues i Universitetit Popullor në Gjenevë dhe “ambasador” i shqiptarëve në Zvicër, për TV ATV ka thënë se “Është koha që një kandidat nga komuniteti shqiptar të ulet në Parlamentin zviceran në Bernë.”
Është një gjë evidente, që nuk mund ta fshehim se Partitë politike në Zvicër në prag të zgjedhjeve, përmes këtyre kandidatëve me origjinë nga Ballkani, kanë interesa dhe synime për të tërhequr votat e shqiptarëve, duke ditur numrin e tyre të madh në territorin e konfederatës helvetike.
Sidoqoftë, komuniteti shqiptarë si shembull i integrimit në Zvicër e meritojnë të kenë jo vetëm pasaportat helvetike, por edhe deputetët e tyre në Bernë.





