Përgatiti: Fatlum Jashari
Në lartësi mbidetare prej 1300 metrash në malet mes Kosovës dhe Serbisë, objekti i ndërtuar për pikë-kalim kufitar, bazuar në marrëveshjen e arritur në dialogun e Brukselit më 21 Maj 2015, zyrtarisht nuk është hapur asnjëherë.
Rruga fshati Banjskë, ku ndodhi sulmi terrorist paramilitar, deri te pika kufitare e supozuar është 15 kilometra, prej tyre rreth dy kilometra në fillim mbesin të paasfaltuara. Ndërsa, nga kufiri deri në Novi Pazar edhe 20 të tjera.
Distancë përgjysmë më shkurtër, krahasuar me rrugën që përdoret aktualisht: Banjskë, Jarinjë, Rashkë, Novi Pazar – që tejkalon 75 kilometra.
E gjendur në zonën kodrinore-malore në mes dy rrugëve nacionale, asaj për Jarinjë dhe tjetrës për Bërnjak, për vite me radhë, ajo ishte një nga vijat kryesore të kontrabandës.
Ndërsa, një pjesë e saj dhe rruga anësore dyshohet se ishte përdorur nga grupi terrorist i prirë nga Milan Radocic, më 24 Shtator 2023.
Krahas KFOR-it, që atëherë prani të përhershme ka edhe Policia e Kosovës.
Pjesë e ujdisë së arritur nëntë vjet e gjysmë më parë në Bruksel, ishte edhe hapja e pikë-kalimit në Kapi të Sfircës.
Edhe aty, Serbia vazhdon të bllokojë funksionalizimin e pikës kufitare, që do të mundësonte lëvizjen e ndërsjellë Kamenicë-Medvegjë, në një rrugë 38 km.
Në takimin e 17 Dhjetorit, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova këmbënguli në zbatimin e dakordimit për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.
Aktualisht, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, funksionale janë gjashtë pika kufitare: Jarinjë, Bërnjak, Merdare, Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.





