Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

Përgatiti: Fatlum Jashari

Pa praninë e deputetëve të pushtetit, me përjashtim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në një seancë të jashtëzakonshme, opozita mbajti debat e shtroi pyetje pa përgjigje “për skandalet dhe keqmenaxhimin në KEK”.

Me nismë të LDK-së, partitë opozitare propozuan një rezolutë, që nuk u hodh fare në votim në mungesë kuorumi.
Krahas vazhdimit të hetimeve nga Prokuroria, sipas propozim-rezolutës 7-pikëshe, kërkohet, transparencë, emërim të bordit të ri të pavarur të ndërmarrjes dhe raportim periodik tre-mujor për masat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes.

Ndërsa, hetim i veçantë u kërkua në raport me anëtaren e LV-së, Dejona Mihali.

“Personi i quajtur Dejona Mihali me titullin koordinatore e LV-së, ka ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në menaxhimin e KEK-ut, duke ndikuar në dhënien e tenderëve, në tregtimin e energjisë elektrike, si dhe duke shkaktuar një valë të punësimeve të jashtëligjshme”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Pasi tha se LV-ja është duke e menaxhuar KEK-un nga prilli i vitit 2020, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi hetime për kontratat njëburimore që arrijnë vlerën 105 milionë euro, e po ashtu për procesin e shpronësimeve.

“Edhe 16 milionë euro shtesë për shpronësime për shkak se deputetit tonë, kolegut tonë nga LV-ja duhet me iu shpronësu prona rreth 1.6 hektarë. Abuzimet në KEK janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Krahas ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, deputeti LDK-së, Driton Selmanaj, tha se hetime duhet të ketë dhe ndaj kreut të Qeverisë, që, sipas tij, po i mbron abuzuesit e parasë publike.

“LDK-ja është e bindur që përtej zotëri Nagip Krasniqit, duhen zgjeruar hetimet. Hetimet duhet të shkojnë përtej, duhet parë edhe niveli politik i përgjegjësisë, ministrja Rizvanolli, zonja Dejona Mihali deri tek Albin Kurti. Ne e kemi parë në komunikimet që ky person, Dejona Mihali, del të jetë personi më i fuqishëm në Kosovë pas kryeministrit”, tha Selmanaj.

Pyetje për kryeministrin pati, kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ndërkaq akuzoi pushtetin se po ikën, pasi, siç shprehimisht tha ai, “nuk po ua mban”.

“Duhesh me na kallëzu pak se dilshe folshe, filterat, bojlerat, bojlerat, filterat, s’të merrke vesh kush çka po thu. Hajde tregona tash çka ndodhi me këshilltarin tënd, tash ambasador, Martinin, se dilshe në fotografi, na lodhshe. A i përgjegjësi? Dhe në fund a do të jep dorëheqje, me bo me dalë komunikimet tua të drejtpërdrejta, të cilat tregojnë se ke qenë në dijeni për shumë çështje të menaxhimit të KEK-ut”, tha Tahiri.

Kjo ishte përpjekja e katërt e opozitës për mbajtjen e një seance të Kuvendit, e cila dështon për shkak të bojkotit nga pushteti.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA