Përgatiti: Fatlum Jashari
Ndërmarrja Ibër-Lepenci përuroi rezervuarin në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë, që është një segment i projektit, në zhvillim, në vlerë të përgjithshme prej 15 milionë euro për sigurinë e ujit, mbrojtjen dhe rehabilitimin e kanalit.
Pasi e cilësuan investim në sigurinë kombëtare, Ministrja e Ekonomisë dhe kryeshefit të ndërmarrjes, thanë se rëndësia e tij vërehet më shumë pas sulmit terrorist të 29 Nëntorit në Varagë të Zubin Potokut.
“Ofron rezerva për 24 orë termocentralin e KEK-ut ose furnizim me ujë për KRU Prishtina, në rast të ndonjë aksidenti apo incidenti tjetër që shpresoj që mos e kemi kurrë. Sido që të jetë, falë punës suaj tani falë punës tuaj mund të qëndrojmë më të qetë me këtë rezervuar të ri”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Ky rezervuar ka kapacitet prej 30 mijë metra kub ujë, i njëjti shtrihet në gjatësi prej 800 metra, me gjerësi 12 dhe thellësi 4 metra”, tha Faruk Mujka, kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”.
Megjithatë, një projekt shumë më i madh në një pjesë tjetër të fshatit Mihaliq ishte refuzuar vite më parë nga ndërmarrja.
Projekti që përmendet në një studim fizibiliteti nga Banka Botërore, dhe që nuk u çua përpara, parashihte ndërtimin e një rezervuari të ujit me kapacitet prej 3.7 milionë metrash kub.
Për mundësinë e jetësimit të këtij projekti s’pati përgjigje të prerë.
“Rezervuari që e përmendet ju, nuk ka qenë në projektet që cilat i kam gjetë në sirtarë dhe është projekt që i tejkalon mundësitë e Ibër Lepencit. Vendimi për rezervuarin që e përmendët ju është i niveleve të tjera”, tha Mujka.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështetë çdo zgjidhje, e cila është fizibile, financiarisht dhe teknikisht, dhe që përkrahet nga ekspertët e fushës. Në kohën kur është marrë ai vendim ka pasur mendime të ndryshme edhe sa i përket fizibilitetit teknik edhe atij financiar”, tha Rizvanolli.
Projekti i plotë për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, një segment i të cilit u përurua të mërkurën, planifikohet të përfundojë më vonë këtë vit.