Në Ditën e Dëshmorëve të Rahovecit, u përkujtua beteja 12 orëshe e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës kundër forcave serbe, më 12 Maj 1998.
Kryetari i komunës, Smajl Latifi, përkujtoi dy dëshmorët e asaj dite Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina, duke vlerësuar luftën dhe rezistencën e tyre për liri.
“Atë ditë u bënë shumë më shumë, plot të tjerë nxorën armët për të shkrepur kundër të huajit. Barrikadat brenda fshatit e në dalje të Malësisë, krismat e pushkëve tona i çorientuan milicët serbë, të cilët për t’u hakmarrë gjuajtën me armë edhe nxënësit filloristë. Të gjithë shokët e organizuar besonin se armikun mund ta mundim vetëm duke luftuar”, tha Latifi.
Nga Ratkoci kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, foli për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UCK-së në Dhomat e Specializuar në Hagë, duke e vlerësuar atë të sulm ndaj luftës çlirimtare.
“Doemos kur kujtojmë këto ngjarje, na vjen në mendje Kosova e paraluftës, të UÇK-së, ishim të robëruar, poshtëruar, politika e asaj kohe ishte e gjunjëzuar dhe e nënshtruar deri në përulje. Ishin të burgosurit që e mbanin gjallë idealin e pashuar të lirisë. Po e përmend Adem Demaqin, i cili kërkonte që të ishim aktiv. Këtë liri e bën bijtë dhe bijat më të mirë të atdheut, pjesëtarët e UÇK-së”, tha Jashari.
Betejën e kujtuan edhe dy pjesëmarrës të saj.
“Është datë historike, e pa parashikuar që mundet një ushtri guerile me qëndrua 12 orë në luftë dhe me marrë stacionin famëkeq policor”, tha Isuf Gashi, pjesëmarrës në këtë betejë.
“Kur krisën pushkat e para dolën njerëzit e Ratkocit, që nuk e di se ku i kishin mbajtur armët. Gjetëm shumë njerëz të përgatitur”, tha Shani Hoti, pjesëmarrës në këtë betejë.
Më 12 Maj 1998, ajo që njihet si Beteja e Anadrinit shënon përballjen e parë të hapur të armatosur në rrethinën e Rahovecit, në të cilën forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga stacioni në Ratkoc – kontrollin e të cilit e fitoi UÇK-ja. /atvlive.tv