Përgatiti: Sara Shehu
Klinika e Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare, para pesë muajsh ka pranuar donacion të aparaturave me inteligjencë artificiale. Vlera e donacionit ishte 300 mijë euro.
Por, deri tash aparatura mbeti jashtë funksionit. Ndërkohë, drejtori i klinikës, Shemsi Veseli, tha se pas dy muajve do të fillojë shfrytëzimi i tyre.
E në bazë të këtyre aparaturave përcaktohet diagnoza e saktë për pacientët përmes ekranit bëhen pyetjet për pacientë, po ashtu sedimenti urinës dhe të gjitha bëhen përmes internetit. Do të kursehet koha, stafi mjekësor s’kanë me përdorë mikroskopin për urinë, pasi mikroskopi gjendet brenda aparaturës automatikisht…. Procedura është shum e shpejtë në mënyrë automatike del rezultati… I kemi pranuar dy aparatura për urinë, analiza të lëngshme dhe 3 për analiza biokimike (të gjakut)”, tha Veseli.
Shfrytëzimin e aparaturës moderne e mirëpret edhe stafi mjekësor.
“Këto aparatura duhet me ditë me i përdorë e na stafi jemi të trajnum për me i përdor. Këto aparatura bëjnë edhe aftësinë e punëtorëve shendetësor pra po ecmi me kohën… ka me na u lehtësu puna”, tha Agron Muqolli, përgjegjës i Laboratorit Emergjent.
Për shkak të ndjeshmërisë që kanë, megjithatë çfarëdo defekti që shfaqet, qendrat kryesore të pajisjeve mjekësore do të merren me rregullimin e tyre.
“Aparaturat do të kenë lidhje robotike me qendrat në Zvicër, Gjermani e Amerikë nëse kanë ndonjë problem aparaturat për mos me ba gabime”, tha Veseli.
Inteligjenca artificiale është e paraparë të ndryshojë edhe praktikën e mjekësisë, ndonëse zbatimi i saj në praktikë ende duhet eksploruar.
“Ne fushën e mjekësisë inteligjenca artificiale ka me ndërru boten komplet. Një mjek mëson teorinë ne fakultet, ndërkoha inteligjenca artificiale jep mundësi me praktiku krejt komplet ndryshe.. Një mjeku t’mirë i duhen 10 vjet për mu ba shumë i fort se ka me pa lloj sëmundje te pacientët, ndërsa me IA shihen te gjitha informatat për miliona pacientë dhe meniher mundet me tregu se qysh e ka gjakun ritmin e zemrës, diagnoza i behet aty për aty, ndërkohë mjekut i vyn disa dite për me verifiku një diagnozë. Mjekët i kemi moshave ma t vjetra e me ua ofru këtë shërbim ka me kanë shume ma lehtë se të rinjtë po ikin”, tha Kristjan Kabashi, sipërmarrës i fushës së financave dhe teknologjisë.
Sipas të dhënave të Menaxhmentit Drejtues, në Klinikën e Biokimisë dhe Laboratorin Emergjent të kësaj klinike, mesatarisht brenda 24 orëve realizohen rreth 700 analiza biokimike.





