Përgatiti: Benita Zeneli
Buxhetin që e patën në vitin 2024 për projekte kapitale, disa nga komunat nuk arritën ta shfrytëzojnë. Kjo ngase siç thonë niveli qendror e pamundësoi realizimin.
Në komunën e Prishtinës, sipas nënkryetarit Alban Zogaj, shkak i qeverisë ndër vite kanë mbetur shumë projekte pezull.
“Ka ndikuar goxha shumë niveli qendror pasi shumë nga projektet madhore. Shembull një nga projektet është nënkalimi Agim Ramadani, platforma që e lidh lagjen Arbëria me Pallatin e rinisë”, tha Zogaj.
Ndërkohë kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi e vlerëson bashkëpunimin me qeverinë. Megjithatë thotë se institucionet qendrore dëmtuan buxhetin e kësaj komune përmes kontratës kolektive.
“Në kuptimin institucional të them të drejtën e kam pasur një bashkëpunim me të gjitha, kemi respektuar vijën institucionale, nuk kemi pasur problem. Por problemi më i madh ka qenë kontrata kolektive që na ka dëmtuar me mjete, llogarit 6 milion euro nëse i kishim shti në projekte do të kishte ndryshuar e gjithë pamja komunës. Kemi pas plan shumë çerdhe, kanalizime e rrugë”, tha Idrizi.
E dëmtuar në këtë aspekt është edhe komuna e Vitisë, e cila e konsideron të papranueshme ndërhyrjen e nivelit qendror në punët e komunave.
“Qëndrimi ynë është institucional. Ne i kemi dy pushtete. Niveli lokal funksionon mbi ligjin vetëqeverisjes lokale, por ndërhyrja është e papranueshme ndërsa e pranueshme është bashkëpunimi. Në përgjithësi ne i respektojmë hierarkinë mbi bazën e ligjeve dhe legjislacionit në fuqi”, tha kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Ndërkohë, komunat e Kosovës gjatë vitit të shkuar kanë pasur në dispozicion rreth 290 milionë euro për projekte kapitale, derisa nuk kanë shpenzuar mbi 50 milionë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: