Raportimet në Itali po shtohen se Massimiliano Allegri është në listën e ngushtë të Napolit për ta zëvendësuar Antonio Conten, ndërsa drejtori sportiv Giovanni Manna thuhet se ka udhëtuar drejt Milanos për një takim me trajnerin italian.
Conte ka lënë sinjale të forta se do të largohet në fund të sezonit, ndërsa “Sky Sport Italia” raporton se në qendrën stërvitore të klubit është organizuar edhe një barbecue, që është interpretuar si një lloj “lamtumire” për trajnerin.
Edhe pse Maurizio Sarri mbetet një nga kandidatët kryesorë për stolin e Napolit, zërat për Allegrin po rriten me shpejtësi. Dy palët kishin pasur kontakte edhe verën e kaluar, përpara se Conte të vendoste të vazhdonte aventurën e tij me klubin napolitan.
Me tensionet në rritje te Milani dhe pasigurinë rreth projektit sportiv, Napoli po tenton seriozisht ta bindë Allegrin të transferohet në “Stadio Diego Armando Maradona”.
Sipas “Corriere della Sera”, presidenti Aurelio De Laurentiis e ka dërguar Giovanni Mannan në Milano, ku gjatë ditëve të fundit është zhvilluar një darkë me Allegrin për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.
Manna dhe Allegri njihen mirë nga periudha kur kanë punuar së bashku te Juventusi, ndërsa oferta e Napolit raportohet të jetë e ngjashme me atë të verës së kaluar: një kontratë dyvjeçare.
Në anën tjetër, Milani mbetet i interesuar për Allegrin, por trajneri kërkon garanci konkrete në merkato përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Sipas raportimeve, Allegri nuk është i gatshëm të vazhdojë nëse Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani do të vazhdojnë të kenë ndikim dominues në strategjinë sportive të klubit.





