Mustafa: Qeveria po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka reaguar pas zhvillimeve rreth qumështores “VITA”, duke kritikuar ashpër qasjen e institucioneve shtetërore ndaj prodhuesve vendorë.
Në një reagim publik, Mustafa ka thënë se veprimet e fundit ndaj kësaj fabrike tregojnë, sipas tij, një qasje represive ndaj sektorit privat dhe prodhuesve vendorë, të cilët po përballen me pasiguri të shtuar.
Reklamë
Ai ka vlerësuar se një klimë e tillë e dëmton drejtpërdrejt ekonominë e vendit dhe ndikon në largimin e investimeve.
“‘Inspektori’ Armend Muja po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes. Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë”, ka deklaruar Mustafa.
Sipas tij, në një ambient të tillë nuk mund të ketë as investime vendore e as të huaja, pasi, siç tha ai, qeveria po shihet si armiqësore ndaj sektorit privat.
Mustafa ka shtuar se kjo qasje nuk synon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet në Kosovë, por përkundrazi, po krijon një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të orientohet drejt politikave që mbështesin prodhimin, punësimin dhe investimet, në vend të pengesave ndaj bizneseve vendore.










