​Musliu-shoshi: Urgjentisht të nisin hetimet ndaj MPJD-së për keqpërdorim të dokumenteve zyrtare

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka kërkuar që urgjentisht të nisin hetimet ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për shkak të dyshimeve për keqpërdorime me dokumente zyrtare të qytetarëve.

Në një konferencë për media, Musliu-Shoshi tha se ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla nuk është aftë të forcojë pozicionin e shtetit tonë në botë.

Ajo e fajësoi Gërvallen për humbjen e qindra dokumenteve duke përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe vendime për shtetësi të mërgimtarëve.

“Si Parti Demokratike kemi vetëm një kërkesë. Kjo kërkesë nuk është as për ministrinë e Punëve të Jashtme e as për ministren Gërvalla sepse kjo ministre ka konfirmuar se as nuk do e as di të jap llogari dhe të jetë e përgjegjshme. Sot kërkesa jonë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës që krahas hetimeve të tyre për hajni me energji elektrike, me ambalazhuesit e ujit, rezervat shtetërore dhe kontrata një burimore, krahas hetimeve për nepotizëm e korrupsion nëpër institucionet e ndryshme publike urgjentisht të nisë hetimet edhe në MPJD, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të shumta me dokumente zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjen e saj joligjore dhe jo kushtetuese në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme”, theksoi Musliu-Shoshi.

Sipas saj, humbja e dokumenteve zyrtare si pasojë e dështimit të punës së MPJD-së, do t’i dëmtojë mërgimtarët.

“406 pasaporta, 165 letërnjoftime, 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve tanë janë humbur në postën diplomatikë të Republikës së Kosovës. Siç mësohet tenderi për shpërndarjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme për qytetarët tanë që jetojnë në mërgatë iu ishte dhënë një kompanie shumëfish me të shtrenjtë. Kur themi shumëfish hiç më pak se 6 herë më të shtrenjtë. Dëmi që iu është bërë qindra qytetarëve tanë që jetojnë në mërgatë të cilët kanë shumë vështirësi me të cilat përballen dhe ndër më të rëndësishmet është i pa llogaritshëm. Si pasojë e këtij dështimit të punës së ministrisë së Punës së jashtme dhe Diasporës, shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen. Shumë punë do të ndërpriten, shumë shpenzime të qytetarëve tanë do të bëhen. E fatkeqësisht edhe shumë plane të tyre do të prishen”, tha Musliu-Shoshi.

Përveç këtyre, Musliu-Shoshi potencoi se në këtë mandat kishte vonesa të dërgimit të dokumenteve në misionet tona konsullore, siç u shpreh ajo me qëllim të aplikimit të kontratave një burimore nga qeveria aktuale.

“Vonesat e shumta për shkak të mungesë së materialit ishin evidente në fillim të këtij mandati. Pastaj kishte vonesa të dërgimit të dokumenteve në misionet tona konsullore për shkak të mos nënshkrim të kontratave nga ministrja Gërvalla. Këto ngecje ndodhën vetëm me një qëllim, të aplikimit të kontratave një burimore nga kjo qeveri. Sot, përveç këtyre problemeve humbja e dokumenteve personal rrezikon edhe keqpërdorimin e identitetit personal, që nuk guxon të ndodhë në asnjë mënyrë…Fatkeqësisht kjo ministri, posaçërisht kjo ministre gjatë këtyre katër viteve ka dëshmuar vazhdimit që nuk është as e jashtme as e as e diasporës dhe as e aftë për të forcuar pozicionin e shtetit tonë në botë”, potencoi Musliu-Shoshi.

Ndër të tjera, deputetja Musliu-Shoshi dënoi sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, për çka kërkoi që të zbardhet rasti dhe të dënohen sulmuesit./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA