Gara për Pichichi Trophy ka hyrë në fazën më të nxehtë të sezonit, me një duel të fortë mes Vedat Muriqi dhe Kylian Mbappé që po mban të hapur gjithçka deri në fund.
Sulmuesi i Real Madrid, Mbappé, aktualisht kryeson listën me 23 gola dhe konsiderohet favorit nga bastet për të rrëmbyer çmimin për të dytin vit radhazi. Megjithatë, pas tij qëndron shumë pranë Muriqi, ylli i RCD Mallorca, me 21 gola dhe në formë të shkëlqyer në javët e fundit.
Me edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar në La Liga, diferenca mbetet minimale dhe gjithçka mund të ndryshojë. Interesant është fakti se Mbappé nuk ka shënuar që nga fillimi i shkurtit, duke i dhënë më shumë shpresë rivalëve për ta kapur.
Në anën tjetër, Muriqi po kalon një moment fantastik, duke realizuar dopietë në fundjavë dhe duke hyrë në histori si golashënuesi më i mirë i klubit të tij në La Liga.
Në këtë garë përmendet edhe talenti i ri Lamine Yamal, por me gjasa më të vogla për të sfiduar dyshen kryesore.
Fundjava dhe javët e mbetura pritet të sjellin emocione të mëdha, teksa dy sulmuesit synojnë të lënë gjurmë dhe të kurorëzohen si më të mirët në elitën e futbollit spanjoll.






