Përgatiti: Arian Hajdaraj
Salla qe gati, andaj në orën 10:00 pritej të niste seanca ndaj Glauk Konjufcës, i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.
E para erdhi avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri.
Disa minuta më vonë arriti edhe dëshmitari Sabri Hamiti, i cili në kohën kur ka ndodhur vepra ishte nënkryetar i Kuvendit.
Por, i akuzuari Konjufca nuk ishte prezent, e për fatin e tij nuk dihej gjë, derisa pas disa tentimeve, asistentët ia hapën telefonin avokates.
“Sapo me njoftuan që Konjufca nuk e ka vendosë në agjendë seancën, meqë nuk ka pasë fesë të rregullt…”, tha Zeqiri.
Kështu, gjykatësja mori vendim ta shtyjë seancën.
“Meqenëse mungon i pandehuri dhe disa dëshmitarë: Pal Lekaj, Valdete Bajrami e Slobodan Petrovic…”, tha gjykatësja Edita Çanta.
Por, me vendimin nuk u pajtua dëshmitari Sabri Hamiti.
“Pse kam ardh? Unë dua të flas sot…”, tha Hamiti.
Prokuroria akuzon Konjufcën për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe për veprën “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Sipas aktit akuzues, në seancën e 10 gushtit të 2016-ës, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, duke pamundësuar qëndrimin në sallë.







